2014-10-16 14:49:11

Sinodi voton për publikimin e amendamenteve ndaj “Relatio post disceptationem”


Sinodi i jashtëzakonshëm për Familjen, që vijon në Vatikan deri më 19 tetor, vendosi sot të publikojë relacionet e hartuara nga dhjetë grupet e vogla, të ndara sipas gjuhës, që paraqitën amendamentet për përmirësimin e tekstit të “Relatio post disceptationem” (Relacioni pas diskutimeve) para asamblesë së përgjithshme të ipeshkvijve. Siç njoftoi drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi, Relacioni përfundimtar i Sinodit (Relatio Synodi) do të paraqitet në sallë të shtunën paradite e do të votohet të shtunën pasdite, por nuk duhet pritur një tekst i plotë e i botueshëm, pasi do të duhen disa ditë për këtë.
Etërit sinodalë, shpjegoi atë Lombardi, do të paraqesin në një konferencë për shtyp në orën 13.00, një mesazh të Sinodit për familjet, ku natyrisht, do të vihen në dukje argumentet kryesore të reflektimit dyjavor.
Pavarësisht se ka pasur opinione të kundërta për publikimin e Relacionit pas diksutimeve, paraqitur nga kardinali hungarez Peter Erdë të hënën, pikërisht për këtë, njoftimi i opinionit publik me amendamentet e grupeve të vogla është konsideruar i vlefshëm e i nevojshëm nga etërit sinodalë.
“Edhe këto dokumente – saktësoi atë Lombardi – vazhdojnë të jenë dokumente pune, hapa përpara në një udhë që vijon, prandaj nuk duhen interpretuar si përfundimtarë”.
Të shtunën mbrëma, atë Lombardi do të takohet sërish me gazetarët për të sqaruar përmbajtjen e “Relatio Synodi”, pra dokumentin më të pritur, që do të vendosë në duart e Papës Françesku, mendimet e etërve sinodalë mbi famljen, problemet e saj e zgjidhjet e mundshme të Kishës Katolike për të.
“Aktualisht, ka pak gjasa që të shtunën të jemi në gjendje të paraqesim një tekst të pastër e të botueshëm, i cili do të kërkojë disa ditë, ose disa orë për t’u korregjuar e përkthyer, e do të vihet në dispozicion më vonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.