Më 16 tetor kalendari kujton Shën Margaritën M. Alakok.
Më 16 tetor kalendari Kishtar kujton Shën Margaritën Maria Alakok, virgjër. E
lindur në Borgonjë të Francës në vitin 1647, Margarita kaloi një rini të vështirë.
Iu desh shumë punë për t’i bindur prindërit që ta lejonin të bëhej rregulltare. Dëshironte
të hynte në Urdhërin e Vizitacionit, themeluar nga Shën Françesku i Sales. Mbas shumë
përpjekjesh, Margarita u bë motër Maria dhe jetoi 20 vjet ndërmjet vizitantineve.
Që në hapat e para në kuvend, ia ofroi veten si fli, Zemrës së Krishtit. Kështu, në
gjysmën e dytë të gjashtëqindës, në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margaritës,
lindi devocioni për Zemrën e Krishtit. Mistikja e madhe dha një ndihmesë themelore
për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La
Colombierë. Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën
folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe
ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja
e devocionit të përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit,
e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit,
kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke
hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit. Të gjitha këto
na i tregon, në autobiografinë e saj, Shën Margarita, përmes përvojës asketike të
së cilës lindi festa e Zemrës së Krishtit dhe praktika e nëntë të premteve të para
të muajit. Shën Margarita vdiq më 17 tetor 1690.