2014-10-15 17:08:48

Kardinali Erdë: Sinodi do të transmetojë mesazhin e Krishtit për familjen


Sinodi për Familjen, që po vijon në Vatikan, po i afrohet fundit. Nesër, grupet e vogla do të referojnë për punën e tyre në asamblenë e përgjithshme. Gjatë takimit të sotëm me gazetarët, imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri dhe kardinali i Barcelonës, Luiz Martinez Sistaç e vunë theksin në temat më të nxehta të Sinodit. Kisha, thanë ata, duhet të gjejë rrugë për të anulluar falas martesat, nëse ato përmbajnë në vetvete kushtet për anullim, në mënyrë që të jetë e qartë se nuk ka synime të tjera. I referoheshin pagesës së parashikuar për shpenzimet e procesit dhe për avokatët. Gjithashtu, në takimin me gazetarët u theksua se Sinodi kërkon të tregohet më tepër kujdes për ato familje, që kanë birësuar fëmijë, por edhe për bijtë e homoseksualëve, ose për ato familje ku ndonjëri nga fëmijët është homoseksual. Problemet që kanë të bëjnë me gjendjen e tyre, theksuan prelatët, duhet të shihen në kuadrin e familjes e të kujdesit për të.
Këto e të tjera janë kontribute të diskutimeve në grupet e vogla, që kanë për qëllim të përmirësojnë Relacionin e paraqitur nga kardinali Peter Erdë, pas diskutimeve në asamblenë e përgjithshme, javën e kaluar. Por pikërisht për këtë tekst, i cili u sqarua se nuk është ai përfundimtar, të dëgjojmë vetë kardinalin hungarez, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Sfida më e madhe ishte kur i njëjti mendim shprehej në 30-40 ndërhyrje, sepse secili vërtet formulonte po atë mendim, por në mënyra të ndryshme: cila terminologji duhej preferuar? Ku duhej vënë theksi? Si të shprehej fakti se kjo gjë kishte dalë nga 30-40 diskutime? Nganjëherë kemi thënë “shumë propozojnë”, ose “disa pohojnë”, por kjo nuk është e mundur gjithnjë. Gjithsesi, kjo sintezë është fryt i punës kolektive të 16 ekspertëve, e të shumë të tjerëve.
Në relacionin përfundimtar, pas diskutimeve në grupet e vogla, duhen pritur propozime konkrete?
Sigurisht që jo! Funksioni i këtij Sinodi nuk është të japë përgjigje konkrete, por të paraqesë çështje e të mbledhë argumente e propozime. Por, akoma jo përgjigje… Në dritën e këtyre rezultateve do të përgatitet Sinodi i ardhshëm e gjithsesi, edhe teksti i tij përfundimtar nuk do të jetë akoma magjisterial. Për t’u bërë i tillë, pra për të hyrë në magjisterin e Kishës, duhet që Ati i Shenjtë ta pranojë, ose të hartojë një dokument të vetin, bazuar në këto punime. Gjatë diskutimeve tona ka këndvështrime të ndryshme, por jo fraksione, siç është thënë nëpër media. Dialogu pranon pikpamje të ndryshme, por nuk kemi ndonjë lloj partie, që lufton për pushtet, nuk shoh asgjë të tillë.








All the contents on this site are copyrighted ©.