2014-10-15 18:56:56

Duhej të ishte ndeshje futbolli…


Duhej të ishte një ndeshje futbolli, ajo e mbrëmshja ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, për kualifikimin në Kampionatin Evropian të vitit 2016. Do të duhej që tri javë para ndeshjes, mediat e të dyja shteteve t’u shpjegonin njerëzve se futbolli është LOJË e fusha e gjelbër, terren, ku lojtarët e të dyja skuadrave luftojnë për një rezultat sportiv e jo për ndonjë pushtet politik e as për partizanëri kombëtare. Do të duhej që të qetësoheshin shpirtrat e ndezur të tifozëve, që i pritën futbollistët me britmat “Vritni shqiptarët”. Do të duhej që policia, në vend që të rreshtonte autoblindat, të punonte me shërbimin e sigurimit për të parandaluar çdo lloj ardhjeje nga jashtë, qofshin ultranacionalistë si Ivani “i Tmerrshëm”, qofshin drone të çfarëdolloji. Do të duhej që të dyja tifozeritë të kishin kushte për të ndjekur normalisht lojën e jo vetëm njëra në stadium, ndërsa tjetra me qindra kilometra larg, para televizionit apo nëpër sheshe. Do të duhej që futbollistët të kishin mundësi të largoheshin pa probleme nga fusha, kur vendosën për këtë, e jo nën breshërin e objekteve të çfarëdoshme, që u binin mbi kokë. Do të duhej që tifozët shqiptarë, të cilët i pritën si heronj kombëtarë lojtarët, t’i largoheshin tundimit për të rrahur gjoksin “ah ç’ua bëmë mirë!”, siç në të vërtetë po ndodh nëpër të gjitha rrjetet shoqërore e mediat. Do të duhej të dilte emri i personit, apo personave, që kishin në dorë telekomandën e dronit e jo vetëm videot e përgatitjes së flamurit në faqe të ndryshme interneti… por, është e kotë të flasësh “pas pilafit”, apo jo. Mbetet spektakli i një shfaqjeje të turpshme vënë në skenë nga njerëz, që s’dinë ç’është qytetërimi.
Ndoshta ia vlen të kujtojmë se ç’është sporti në të vërtetë, përmes fjalëve të Papës Françesku para delegatëve të Komiteteve Olimpike Evropiane, mbledhur në Romë më 23 nëntorin e vitit 2013, me rastin e asamblesë së tyre të përgjithshme. Ndonëse të vjen të komentosh: “E tha, po kujt ia tha!”:
“Praktika sportive nxit kapërcimin e shëndoshë të vetvetes e të egoizmave personale, e stërvit njeriun me shpirtin e sakrificës e, nëse programohet mirë, favorizon besnikërinë në marrëdhëniet ndërpersonale, miqësinë, respektin e rregullave… Kjo është e mundur, sepse gjuha e sportit është universale, kapërcen kufij, gjuhë, raca, fe dhe ideologji; zotëron aftësinë për t’i bashkuar njerëzit, duke favorizuar dialogun dhe mikpritjen. Kjo është pasuri shumë e çmuar! …Është tipike e veprimtarisë sportive të mos përçajë! Të ndërtojë ura e jo mure”.








All the contents on this site are copyrighted ©.