Në fshatin Zym të Prizrenit, të shtunën e kaluar, u mbajt manifestimi tradicional
‘Takimet e Atë Shtjefën Gjeçovit ‘. Një takim ky i përvitshëm kulturor kushtuar figurës
poliedrike Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovit ofm (1874-2014), dhe kontributit të tij
të çmuar dhënë kulturës shqiptare. Më tepër nga Prishtina na njofton Rabie Ibraj........ Kush dëshiron
të ndihet shqiptar e të frymojë shqip, lë të vijë në Zym të Hasit, në manifestimin
tradicional ‘At Shtjefën Gjeçovi’, tha në hapje françeskani kosovar Atë Ndue Kajtazi,
duke kujtuar se sivjet ‘Takimet e Atë Shtjefën Gjeçovit ‘ mbahet për të 43 herë me
radhë dhe kujtohet 140 vjetori i lindjes se tij. U pëlqyen fort fjalët e Atë Ndue
Kajtazit, i cili u përcoll me duartrokitje nga të pranishmit në numër të madh të ardhur
nga të gjitha trevat shqiptare. Lulzim Kabashi, nënkyretar i Komunës së Prizrenit
pasi foli për veprimtarinë e At Shtjefën Gjeçovit tha se, jemi krenar që e patëm dhe
po aq krenar që e kujtojmë çdo vjet sepse ai u vetëflijua për arritje të mëdha në
fushën e historisë, arsimit, kulturës e traditës, e me meritë e ka vendin e nderit
në historinë tone kombëtare. Ai premtoi se qeverisja lokale në të ardhmen do të jep
kontribut edhe më të madh për këtë manifestim, për Zymin e Hasin. Kryetari i Shoqatës
‘Laberia’ nga Vlora, Ahmet Demaj, tha se e ka studiuar biografinë e At Shtjefën Gjeçovit,
si mësues i popullit, patriot, shkrimtar, etnograf, etnolog, përkthyes dhe fetar i
madh, por ajo qe ne labëve na bënë më shumë borxhlinjve ndaj tij është pjesëmarrja
dhe kontributi i tij më 1920 në luftë kundër italianëve. Atë e shohim në Kaninë më
3 shtator të vitit 1920 duke ngrit flamurin shqiptar si fitimtar. At Shtjefën Gjeçovi
ndriçon gjithë kombin për gjuhën shqipe kur thotë ''Sa mund të mendohet dielli pa
dritë, aq mund të mendohet një komb pa një gjuhë’’. Ndërsa për shkrimtarin vlonja,
Asqeri Llanaj Gjeçovi ishte arkeolog që tregonte historinë e lashtë shqiptare, studiues
i trashëgimisë pellazge, mbledhës i trashëgimisë gojore të popullit, kodifikues i
Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe kontribuues në arsim e fe. Pas këtyre fjalëve, At Shtjefën
Gjeçovin e ‘ngjallë’ aktori i njohur Bislim Muçaj. I veshur me zhgunin françeskan
e me fjalë urtie përcolli dinjitetshëm madhështinë gjeçoviane, për çka bëri që publiku
të ngritët në këmbë. Në kuadër të ‘Orës Letrare’, poetet deklamuan poezitë e
tyre, e më pas u ndanë edhe çmimet: ‘Pjetër Bogdani’, ‘Anton Pashku’ dhe ‘Shtjefën
Gjeçovi’. E, për here të parë është ndarë çmimi ‘Marie Shllaku e Katarina Josipi’
me të cilin u nderuan: Shemsije Lokaj nga Mitrovica, Sanije Desku nga Malisheva dhe
motra e nderit, zymjanja tani me shërbim në Podgoricë, Anita Prenka. Që të tria qenë
dalluar për kontributin e dhënë gjatë luftës në Kosovë. ‘’Unë kam kryer porosinë e
Krishtit. ‘’Falënderoj të gjithë ata që ndanë vuajtjet me mua’’, tha motra Anita,
e cila pat ndihmuar popullin e strehuar gjatë kohës së luftës në Famullinë kishtare
në fshatin Novosellë të Gjakovës. ‘Takimet e Gjeçovit’, sivjet u mbajtën në nderim
të 150 vjetorit të themelimit të Shkollës së Parë Shqipe në fshatin Zym të Hasit,
ku veteranet e arsimit e përkujtuan këtë ngjarje, me të cilin rast u hap edhe një
ekspozitë me fotografi e dokumente të kohës. Si zakonisht nuk mungoi as atmosfera
e bukur me valle karakteristike të zonës se Hasit.