2014-10-14 12:07:03

Papa: nuk na duhet një fe sa për sy e faqe, rëndësi ka bamirësia konkrete


Jeta e krishterë sa për sy e faqe, në qendër të homelisë së sotme të Papës Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Feja, nënvizoi Ati i Shenjtë nuk është vetëm të thuash “Besojmën”, por kërkon të largohesh nga lakmia e koprracia e të dish t’u japësh të tjerëve, sidomos të varfërve.RealAudioMP3 Feja nuk ka nevojë të duket, por të jetë e vërtetë; nuk ka nevojë të mbështillet me kortezi të kota e hipokrite, por të banojë në një zemër të aftë për të dashur me sinqeritet. Gjithnjë Ungjilli i ditës është baza e homelisë së Papës Françesku. Fariseu, që habitet kur Jezusi nuk kryen ritet e parashikuara nga ligji hebre para se të ulet në sofër, i jep Atit të Shenjtë mundësinë për të theksuar, ashtu si në meshën e djeshme, se feja nuk është e përqendruar thjesht në plotësimin e detyrave:
“Jezusi e dënon këtë lloj përshpirtërie kozmetike: të dukemi të mirë, të bukur, por e vërteta që kemi brenda është krejt tjetër! Jezusi i dënon njerëzit me sjellje të mira, por me zakone të këqia, nga ato që nuk bëhen haptas, por fshehtas. A është e drejtë dukja? Këtyre njerëzve u pëlqente të shëtisnin nëpër sheshe, t’i shihnin të tjerët që luteshin, ‘të zbukuroheshin’ pak me dobësi kur agjëronin… Pse, a është Zoti kështu? Janë dy, cilësorët, që përdor këtu, e janë të lidhur ndërmjet tyre: lakmia dhe ligësia”.
“Varre të zbardhura me gëlqere” i quan Jezusi skribët e farisenjtë në Ungjillin sipas Mateut, duke kritikuar ato sjellje, që vetëm zbukurojnë nga jashtë, ashtu si gëlqerja për varret, por nuk janë shprehje e botës shpirtërore të brendshme. Prandaj i fton që në vend të flive t’i dhurojnë Hyjit vetveten e lëmoshën t’ua japin të varfërve me gjithë zemër:
“Çka vërtet vlen është feja. Cila fe? Ajo që ‘bëhet vepër përmes bamirësisë’. Të njëjtën gjë i thotë Jezusi fariseut. Një fe, që nuk është vetëm recitimi i ‘Besojmës’: të gjithë ne besojmë në Atin, Birin, Shpirtin Shenjt, në jetën e pasosur… Të gjithë besojmë! Por kjo është fe e amullt, nuk sjell fryte. Çka vlen për Jezu Krishtin janë veprat e fesë, apo më mirë të themi, është feja që kthehet në vepër përmes bamirësisë, përmes lëmoshës. Lëmoshë në kuptimin më të gjerë të fjalës: shkëputja nga diktatura e parasë, nga idhujtaria e parave. Çdo koprraci na largon nga Jezu Krishti”.
Papa Françesku kujtoi një episod nga jeta e atë Arrupes, Eprori i përgjithshëm i jezuitëve nga vitet ’60 deri në vitet ’80. Një ditë, një zonjë e pasur e ftoi diku, që t’i jepte para për misionet në Japoni, për të cilat po impenjohej atë Arrupe. Dorëzimi i zarfit u bë tek dera, para gazetarëve e fotografëve. Atë Arrupe tha më pas se e kishte ndjerë veten shumë të poshtëruar, megjithatë, e kishte pranuar shumën e parave për hir të të varfërve të Japonisë. Por, kur e hapi, gjeti brenda vetëm 10 dollarë. Ta pyesim veten, përfundoi Papa, nëse jeta jonë e krishterë është kështu, sa për t’u dukur, apo feja jonë kthehet vërtet në vepra:
“Jezusi na këshillon këtë: ‘Mos i bjer borisë’. Këshilla e dytë: ‘Mos jep vetëm atë që të tepron’. E na flet për atë plakën e shkretë, që dha çfarë kishte. E madje, e lavdëron atë grua, pikërisht sepse u soll kështu. Dhe e bëri disi fshehtas, ndoshta sepse i vinte turp, që s’mund të jepte më shumë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.