“Mrekullia e diellit”: më 13 tetor 1917, dukja e fundit e Zojës së Bekuar në Fatima
Kujtohet sot përvjetori i dukjes së fundit të Zojës së Bekuar në Fatima të Portugalisë
Si sot, më 13 maj 1917, në livadhet e Kova d’Iria, ku tre fëmijë: Luçia, Gjaçinta
e Françesko, kullosnin grigjat e tyre, u duk për herë të parë Virgjëra Mari, dukje
që e shndërroi qytetin e Fatimës në qendër përshpirtërie botërore. Për herë të
fundit Zoja, që tashmë njihet me emërtimin “e Fatimës” u duk 13 tetor 1917,
kur njerëzimi ishte i mbytur në gjakun e Luftës I Botërore. U foli tre barinjve të
vegjël, të cilët i porositi ta përcillnin mesazhin e saj për lutje, flijime e pendesë,
që njerëzimi të shpëtonte nga përsëritja e tragjedive të luftërave. Nga Kova d’Iria,
në historinë njerëzore të shekullit të fundit, vjen një mesazh, që u rrënjos për vullnet
të Hyjit, përmes hireve, veprave të jashtëzakonshme të Zotit në Kishë e në mbarë botën.
U rrënjos përmes dukjeve e mrekullisë së diellit. Zoja foli për kthimin e Rusisë,
gjë që ngjalli për vite me radhë shpresa të mëdha. Pastaj dukjet u lidhën nga Provania
hyjnore edhe me jetën e Gjon Palit II, me atentatin e 13 majit 1981. Me tre sekretet
që Virgjëra Mari ua besoi barinjve të vegjël. E edhe me lumnimin e tre barinjve, ndërmjet
të cilëve, Luçia, e cila jetoi gjatë për t’i zbuluar botës sekretet e Zojës së Fatimës,
që njihet, nderohet e duhet nga mbarë bota e që Papa Benedikti XVI e kujtoi sot në
audiencën e përgjithshme. Nga Fatima vjen një mesazh ngushëllues, jo frikësues.
Benedikti XVI, duke vizituar Shenjtëroren e Zojës në maj të vitit 2010, e ftoi një
botë, e cila tepër shpesh e shikon gjithçka me mosbesim, të mos e shtrembërojë atë,
që u tha Zoja e Bekuar tre barinjve të vegjël, në një ditë të largët, 93 vjet më parë,
duke iu dukur në atë hapësirë të privilegjuar, të hapur nga qielli, përmbi tokë. Hapësirë
e cila, që asokohe – pat pohuar Papa Benedikti XVI gjatë shtegtimit të tij në Fatima
– na mëson të shpresojmë në mëshirën hyjnore, që shëron e shpëton: “Është një
mesazh i përqendruar mbi lutjen, mbi pendesën e mbi kthimin në rrugën e Zotit, që
i kapërcen kufijtë e kërcënimeve, të rreziqeve, të tmerreve të historisë, për ta ftuar
njeriun të ketë besim në veprën e Zotit, të ushqejë Shpresën e madhe, të provojë hirin
e Hyjit, për t’u dashuruar me Atë, që është burim i dashurisë e i paqes”. Mesazhi
që u përcolli Zoja barinjve të vegjël mbetet aktual: është mesazhi i paqes; ashtu
si Shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e paqes, djep i paqes. Në atë Shenjtërore
ruhet plumbi, që e përshkoi Papën Shën Gjon Pali II, ngërthyer si stoli e çmuar, në
aureolën e kurorës së shtatores së Zonjës. Ruhet edhe një copëz nga muri i Berlinit,
që tregon se Zoja ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e hekurt e ateizmit dukej e pakapërcyeshme.
E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga konfliktet, nuk duhet ta harrojë porosinë
e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është dhuratë që vjen nga qielli, dhuratë e
Zotit.