2014-10-13 14:55:17

Papa në meshën e mëngjesit: të mos mbyllemi secili në sistemin e vet, por t’ia hapim dyert të papriturave të Zotit


Mos ta mbyllim derën për të papriturat e Zotit, t’i kuptojmë shenjat e kohëve.RealAudioMP3 Ky ishte mesazhi i homelisë së Papës Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Duke komentuar fjalët e Jezusit për dijetarët e ligjit, Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të mos ngulin këmbë vetëm në idetë e tyre, por të ecin përpara me Zotin për të gjetur ide, gjithnjë të reja. Papa mori shkas nga Ungjilli i sotëm, në të cilin dijetarët i kërkojnë Jezusit një shenjë se Ai është Biri i Zotit, por Krishti i quan “brezni e keqe”, e paaftë të shohë shenjat e kohës e t’i interpretojë ato:
“Pse këta dijetarë të ligjit nuk i kuptonin shenjat e kohëve e kërkonin një shenjë të jashtëzakonshme (Jezusi ua dha më pas), pse nuk kuptonin? Para së gjithash, sepse ishin të mbyllur në sistemin e tyre, e kishin sistemuar për mrekulli ligjin, kryevepër fare. Të gjithë hebrenjtë e dinin ç’mund të bëhej, ç’nuk mund të bëhej, deri ku mund të shkohej. Gjithçka e sistemuar. Ishin të sigurtë aty”.
Jezusi për ta ishte i çuditshëm, sepse shkonte me mëkatarët, hante me publikanët. E konsideronin të rrezikshëm për doktrinën e tyre të ligjit, që teologët e kishin hartuar në shekuj. Në të vërtetë, nënvizoi Papa, e kishin hartuar për hir të dashurisë e besnikërisë ndaj Zotit, por pastaj, e kishin mbyllur derën e atij sistemi, duke e harruar historinë. Kishin harruar se Zoti nuk është vetëm Hyji i Ligjit, por edhe i të papriturave. Gjatë historisë, Zoti e pati befasuar disa herë popullin e vet, si për shembull, kujtoi Papa, kur i liroi nga skllavëria e Egjiptit:
“Ata nuk e kuptonin se Zoti është Hyji i të papriturave, se Zoti është gjithnjë i ri; kurrë nuk e mohon vetveten, kurrë nuk thotë se ç’kishte thënë më parë është e gabuar, kurrë, por na befason gjithnjë. E ata nuk e kuptonin e mbylleshin në atë sistem, të ngritur me shumë vullnet të mirë. Kështu i kërkonin Jezusit: ‘Na jep një shenjë!’. E nuk i kuptonin shenjat e shumta, që Jezusi u kishte dhënë për t’u treguar se koha kishte ardhur tashmë. Mbyllje! Së dyti, e kishin harruar se ishin një popull në ecje. Në ecje! E kur ecën, kur jemi në ecje, gjithnjë gjejmë gjëra të reja, gjëra që nuk i njihnim më parë”.
Nuk do t’u jepet asnjë shenjë, përveç asaj të Jonës, thotë Zoti. Është pra, shenja e ringjalljes, shenja e Lavdisë drejt të së cilës shkojmë, drejt së cilës priremi duke ndjekur Krishtin, komentoi Papa Françesku. Por dijetarët e ligjit nuk e njihnin këtë udhë, prandaj kur Jezusi thotë në Sinedër se është Biri i Zotit, ata shkandullohen, sepse për ta fjalët e Jezusit ishin blasfemi. Këta nuk e kuptuan, vijoi Ati i Shenjtë, se nëse ligji nuk çon drejt Krishtit, vdes, nuk vlen më për asgjë, nuk na lë të ecim përpara:
“E kjo duhet të na bëjë të mendojmë: unë, a jam i lidhur vetëm me gjërat e me idetë e mia, a jam i mbyllur? Apo ia hap dyert Zotit të befasisë? Jam njeri në vendnumëro, apo në ecje? A besoj në Jezu Krishtin – në atë që bëri: vdiq, u ngjall e kjo është historia – a besoj se udha ime shkon drejt pjekurisë, drejt manifestimit të lavdisë së Zotit? A jam i aftë t’i kuptoj shenjat e kohës e t’i qëndroj besnik zërit të Zotit, që ndjehet në to? Mund t’ia bëjmë vetes çdo ditë këto pyetje e t’i kërkojmë Zotit një zemër, që e do ligjin, sepse ligji është i Hyjit; por që i do edhe të papriturat e Zotit dhe e di se ligji i shenjtë nuk është qëllim në vetvete”.
Është rrugë, shpjegoi në mbyllje Papa Françesku, është pedagogji, që na çon tek Jezu Krishti, në takimin përfundimtar, ku do të shohim këtë shenjë të madhërishme të Birit të njeriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.