Papa në Engjëllin e Tënzot: të mos e reduktojmë Mbretërinë e Zotit në një “kishëz”
E pakufishme dhe e paaftë të diskriminojnë: kështu është mirësia e Zotit, që u jep
të gjithëve mundësinë për shëlbim, pa përjashtime. Bujaria e Hyjit – këto qenë fjalët
e Papës në Engjëllin e djeshëm të Tënzot – shkon shumë përtej asaj të njeriut. Ati
i Shenjtë komentoi Ungjillin e së dielës, që paraqet shembëlltyrën e dasmës së të
birit të mbretit, në të cilën mbreti ftoi dasmorë, që nuk i erdhën e, pastaj, mori
njerëz nga rruga, që ndoshta, nënvizoi Papa, nuk kishin ndonjë status të veçantë për
të marrë pjesë, por për faktin se e dëgjuan thirrjen e mbretit, kishin më tepër dinjitet
se të tjerët. Vetëm se, edhe prej këtyre, e përzuri atë, që nuk kishte veshur rrobën
e dasmës: “Para refuzimit
të të ftuarve të parë, Ai nuk shkurajohet, nuk e prish festën, por e ripropozon ftesën,
duke e shtrirë e duke e shtrirë përtej çdo kufiri të arsyeshëm. I dërgon shërbëtorët
nëpër sheshe e në udhëkryqet e rrugëve për të mbledhur këdo gjejnë. Janë njerëz të
çfarëdoshëm, të varfër, të braktisur, pa plang e pa shtëpi, madje, të mirë e të këqinj
– edhe të këqinjtë ftohen – pa dallim. E salla mbushet me ‘të përjashtuar’. Ungjilli,
i refuzuar nga dikush, pranohet papritmas nga shumë zemra të tjera”. Gjithkujt,
vijoi Papa Françesku, i jepet mundësia për t’iu përgjigjur ftesës së Zotit. Askush
nuk ka të drejtë ta konsiderojë veten të privilegjuar e ta dëshirojë shëlbimin vetëm
për vete: “Të gjithë jemi të thirrur të mos e reduktojmë Mbretërinë e Zotit
në kufijtë e një ‘kishëze’: të kishës sonë fare të vogël… Nuk kemi nevojë për këtë!
Duhet ta shtrijmë Kishën deri në përmasat e Mbretërisë së Zotit. Me një kusht ama:
të veshim rrobën dasmore, pra, të dëshmojmë dashuri konkrete për Zotin e të afërmin”. Papa
Françesku ia besoi punimet e Sinodit për Familjen, që vazhdon në Vatikan deri të dielën,
mbrojtjes së Zojës, së bashku me vuajtjet e shpresat e shumë vëllezërve e motrave
të përjashtuar nga shoqëria, të mënjanuar, të përbuzur, përfshirë të persekutuarit
për shkak të fesë.