2014-10-13 13:50:55

Nëse Kisha ndalet, sëmuret: Papa Françesku kujton misionartët në meshën e së dielës


“Dolën në udhëkryqet e botës për t’i ftuar të gjithë”: kështu i kujtoi dje Papa Françesku, dy shenjtorët misionarë e ungjillëzues të Kanadasë, ipeshkvin Francesco de Laval dhe orsolinen Maria e Mishërimit, lindur në Francë në shekullin e 17-të. Ati i Shenjtë kremtoi meshën e falenderimit për kanonizimin e tyre më 3 prillin e këtij viti, duke përshkruar jetën e themeluesve - në një farë mënyre - të Kishës Katolike në Kuebek e duke nënvizuar faktin se ata nuk u ndalën kurrë:RealAudioMP3
“Nëse Kisha ndalet e mbyllet, sëmuret, mund të korruptohet, si nga mëkatet, ashtu edhe nga shkenca e rreme, e ndarë nga Zoti, që është shekullarizmi i sotëm”.
Misionarët janë ata, që kanë guximin për ta jetuar Ungjillin. Misionarët kanadezë, kujtoi Ati i Shenjtë, dolën nëpër të gjitha udhëkryqet e botës, i thirrën të gjithë dhe i bënë mirë Kishës:
“Misioni ungjillëzues i Kishës është në thelb, mesazhi i dashurisë, i mëshirës dhe i faljes së Zotit, i cili iu zbulua njerëzve përmes jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit… E me këtë forcë të Zotit patën guximin për ‘të dalë’ nëpër rrugët e botës, me besimin në Hyjin, që fton. Kështu është jeta e një misionari dhe e një misionareje… që përfundojnë pastaj larg shtëpisë, larg atdheut; shpesh të vrarë, të mbytur! Ashtu siç po ndodh këto ditë me shumë nga vëllezërit e motrat tona”.
Kujtimi i misionarëve na mban në këtë çast historik, kur Kisha eksperimenton mungesën e punëtorëve në vreshtin e Zotit. Papa u lut që Kuebeku të jetë sërish burim shenjtorësh misionarë:
“Ky kujtim na ndihmoftë që të mos e braktisim sinqeritetin. Të mos e braktisim guximin! Ndoshta… Jo, jo, ndoshta, po është e vërtetë! Djalli është ziliqar e nuk do që toka të jetë plot me misionarë. T’i lutemi Zotit që Kuebeku të kthehet në rrugën e fryteve, për t’i dhënë Zotit shumë misionarë. E këta të dy, që – si të thuash – themeluan Kishën e Kuebekut na ndihmofshin si ndërmjetës. Fara që mbollën shpresojmë të rritet e të japë frytin e shumë burrave e grave të guximshme, largpamëse, me zemrën e hapur për thirrjen e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.