Sot 13 tetor, Kisha katolike përkujton Shën Teofilin e Antiokisë, ipeshkëv. Shën
Teofili, ipeshkëv i Antiokisë, qe autor i shumë veprave, disa nga të cilat arritën
deri në ditët tona, ndërsa disa të tjerave u njihet vetëm titulli. Nga faqet e
këtyre veprave, mund të ridëgjojmë fjalën e Shenjtit në mbrojtje të Doktrinës e të
Fesë së krishterë, që edhe asokohe ishte objekt akuzash nga ana e të pafeve dhe njerëzve
të zhytur në vese. “Po në se ti më thua – shkruante ipeshkvi i lashtë - ma trego
Zotin tënd, unë do të të them: “Ma trego njeriun tënd, e unë po të tregoj Zotin tim.
Tregomë, pra, se sytë e shpirtit tënd shohin qartë e veshët e zemrës sate dëgjojnë
mirë…. Zoti u tregohet atyre, që mund ta shohin, atyre që i mbajnë gjithnjë të hapur
sytë e shpirtit. Të gjithë kanë sy për të parë, por disa i kanë të verbër, sy që nuk
janë në gjendje të shikojnë dritën e diellit. Por fakti se të verbrit nuk shikojnë,
s’ mund të dëshmojë se dielli nuk lind çdo ditë. Të verbrit të kapen me vetveten,
me sytë e tyre, e jo me diellin”. “Njëlloj, biri im, në se ti i ke sytë e shpirtit
të verbër, e nuk je në gjendje t’i shikosh fajet e zakonet e këqija, nuk mund ta shikosh
dritën. Si një pasqyrë të kthjelltë, tejet të pastër: ja pikërisht kështu duhet ta
ketë njeriu shpirtin”. “Në se pasqyra prishet, njeriu nuk mund ta shikojë më veten
në të. Njëlloj, në se njeriu është mëkatar, nuk mund ta kundrojë fytyrën e Zotit”. Autori
i këtyre frazave, të cilat më vonë do t’i përdorte vetë Shën Agostini, lindi në një
zonë të Lindjes, pranë Tigrit e Eufratit. Ishte pagan e mori një edukatë helenistike.
U kthye në fenë e krishterë, duke admiruar sjelljet e të krishterëve, shumë më të
larta se të paganëve, e duke lexuar Biblën. Përvoja e tij, si njeri i kthyer në fe,
e jo më pak kultura shekullare, që kishte marrë, do t’i shërbenin, më pas, në polemikat
e mprehta kundër të pafeve e filozofëve të helenizuar. U zgjodh ipeshkëv i Antiokisë
në vitin 169 dhe e vijoi misionin baritor në qytetin e madh, ku e kishte pasur katedrën
e parë vetë Shën Pjetri, deri në vdekjen e Mark Aurelit, në vitin 180. Ndoshta pa
edhe vitet e para të sundimit perandorak të pasardhësit të tij, Komodit. Kujdesi
apostolik, në mes të njërës nga bashkësitë më të populluara, por edhe më të trazuara,
të botës së parë të krishterë, nuk e shkëputi nga studimi e nga veprimtaria e jashtëzakonshme
intelektuale. Shkroi vepra polemike kundër heretikëve të kohës, vepra katekistike,
komente të Shkrimit Shenjt, vepra historike, për të shpjeguar natyrën përrallore të
miteve pagane. Mund të themi, prandaj, me plot gojën, se ishte Ipeshkëv që la në historinë
e kohës gjurmë të thella urtie e kulture, ashtu si la në shpirtrat që i qenë besuar,
gjurmë të pashlyeshme bamirësie e mëshire.