Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të
Marisë” par. 83
Duke shfletuar veprën “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar
nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, pasi ju njohëm me tri të vërtetat e para
të devocionit të Zojës, sot do t’ju flasim për të vërtetën e katërt.
83. E
vërteta e katërt. Është më e pëlqyeshme, sepse më e përvuajtur, të mos i afrohemi
Hyjit vetëm, pa një ndërmjetësues. Duke qenë thelbi ynë i prishur, siç e dëshmova,
nëse mbështetemi mbi veprat tona, mbi nismat tona, përgatitjet tona, për të arritur
tek Zoti e për t’i pëlqyer, është e qartë se të gjitha veprat tona të drejtësisë do
të jenë të njollosura ose me vlerë fare të paktë para syve të Zotit, që të mund të
na prijnë drejt bashkimit me Të e të na i dëgjojë lutjet tona. E kjo sepse, me arsye,
Hyji na dha ndërmjetës pranë Madhërisë së Tij. Ai e pa padenjësinë e paaftësinë tonë,
pati mëshirë për ne e, që të na e lërë shtegun e hapur për mëshirën hyjnore, na dhuroi
ndërmjetësues të pushtetshëm pranë madhërisë së Tij; kështuqë, po t’i shpërfillësh
këta ndërmjetësues e t’i afrohesh drejtpërdrejtë shenjtërisë së Tij, pa kurrfarë ndërhyrjeje,
do të thotë të jesh pa përvujtëri e pa respekt ndaj Hyjit aq të lartë e aq të shenjtë;
do të thotë ta vlerësosh më pak këtë mbret të mbretërve, sesa një mbret a një princ
tokësor, të cilin nuk mund ta takojmë, pa pasur ndonjë mik, që t’i flasë për ne!