2014-10-10 11:16:20

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 80, 81, 82


Duke shfletuar veprën “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, filluam dje të flasim për të vërtetën e tretë të devocionit ndaj Zojës së Bekuar, e cila na thotë se për të bërë vepra të mira, duhet të zbrazemi nga vetvetja e nga mëkati, që na e prish shpirtin. Sot, shenjti vijon të reflektojë mbi mënyrën se si duhet ta arrijmë këtë gjendje shpirtërore.RealAudioMP3

80. Pas kësaj, duhet të mrekullohemi nëse Zoti ynë pati thënë se kush donte ta ndiqte, duhej të mohonte vetveten e ta urrente shpirtin e vet; sepse ai, që do ta donte jetën e vet, do ta humbiste e ai, që do ta humbiste, do ta fitonte. Kjo dije e pa anë e pa fund, që nuk jep urdhëra pa arsye, na urdhëron ta mohojmë vetveten, vetëm pse jemi krejtësisht të denjë për mohim; s’ka asgjë më të denjë se dashuria për Zotin e asgjë më të denjë, se mohimi i vetvetes.

81. Në radhë të dytë, për t’u zbrazur nga vetvetja, duhet të vdesim çdo ditë për vetveten, duhet të heqim dorë nga veprimi i fuqive të shpirtit tonë e nga shqisat e korpit, duhet të shikojmë, si të mos shihnim, të dëgjojmë, si të mos dëgjonim, t’i përdorim sendet e kësaj bote, si të mos ishin, duhet të bëjmë atë, që Shën Pali e quan: të vdesësh ditë për ditë. “Cotidie Morior!”(1 Kor 15,31). “Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme!” (Gjn. 12,24). Në se nuk vdesim për vetveten e nëse devocionet tona, edhe ato më të shenjtat, nuk na çojnë në këtë vdekje të nevojshme e pjellore, nuk do të endim asnjë fryt me vlerë, e devocionet tona do të bëhen krejt të panevojshme e të gjitha veprat tona të drejtësisë do të përlyhen nga dashuria për vetveten e nga vullneti ynë, e kjo do të bëjë që Zoti të neveritet edhe nga flijimet më të mëdha e veprat më të mira, që mund të bëjmë; e, kur të vdesim, do të gjindemi me duar bosh, pa virtyte e pa merita, e nuk do të kemi asnjë shkëndijë të dashurisë së vërtetë, që u përcillet vetëm shpirtrave, jeta e të cilëve fshihet, me Jezu Krishtin, në Hyjin.

82. Në radhë të tretë, duhet të zgjedhim ndërmjet të gjitha devocioneve të Virgjëërës së shenjtë, atë, që na ndihmon më shumë të vdesim për vetveten, e më e mira, është edhe më shenjtëruesja; ngaqë nuk duhet besuar se gjithçka shkëlqen, është ar; gjithçka e ëmbël, mjalt e gjithçka, që është e lehtë për t’u praktikuar nga shumica, është më shenjtëruese. Ashtu siç ka sekrete natyrore për t’i bërë në pak kohë, me pak shpenzime e me lehtësi disa veprime, po ashtu ka sekrete edhe në rendin e hirit, për të bërë në pak kohë, ëmbëlsisht e lehtësiht, veprime të mbinatyrshme; për t’u zbrazur nga vetvetja e për t’u mushur përplot me Hyjin, duke u bërë i përkryer!








All the contents on this site are copyrighted ©.