2014-10-10 14:02:25

Sinodi/Kisha nuk është doganë, por shtëpi atërore


Kisha “nuk është doganë”, por “shtëpi atërore”. Me këtë reflektim, në praninë e Papës Françesku, vijojnë në Vatikan, punimet e Sinodit të jashtëzakonshëm mbi Familjen, me temë “Sfidat baritore për familjen, në kuadrin e ungjillëzimit”. Disa nga temat, që dolën në pah edhe në ditën e sotme, në të cilën debatuan rrethet e vogla, kanë të bëjnë sidomos me familjet në krizë. Siç shpjegoi drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi, Kisha synon t’i shoqërojë me durim, duke pasur si shembull mëshirën e Zotit. Duke folur për diskutimet mbi të divorcuarit e rimartuar, atë Lombardi tha:RealAudioMP3
“Ka një linjë, që flet me shumë vendosmëri për kumtimin e Ungjillit të martesës, i cili kërkon të pohojmë se, nëse ekziston një lidhje e vlefshme martesore, nuk është e mundur t’u japim Sakramentet të divorcuarve të rimartuar. Ky është pohim në përkim me doktrinën, për hir të besnikërisë ndaj Fjalës së Zotit. Një linjë tjetër nuk e mohon pazgjidhshmërinë e martesës ashtu siç e propozon Zoti ynë Jezu Krishti, por dëshiron të shohë – në këndvështrimin e mëshirës hyjnore – situatat e ndryshme e t’i shoshisë sipas specifikave. Pra, pa e mohuar aspak doktrinën themelore, mund të kemi një qasje baritore, e cila t’u përgjigjet kërkesave të mëshirës hyjnore, duke marrë parasysh gjendjet e ndryshme familjare”.
Përsa i përket anullimit të martesës nga Kisha, në ato raste kur kjo është e mundur, atë Lombardi vuri në dukje se në Sinod po kërkohet më pak burokraci për procedurat dhe integrimi i laikëve në Gjykatat kishtare. Gjithnjë, duke respektuar të vërtetën e Ungjillit e të drejtat e palëve:
“Pati edhe propozime mjaft konkrete për organizimin e zyrave dioqezane, që përballojnë këto tema, nën udhëheqjen e ipeshkvit. Njëkohësisht, edhe për këtë tematikë, thuhet më këmbëngulje se duhet treguar kujdes përsa u përket kërkesave të së vërtetës e të drejtësisë, për të mos arritur në ndonjë lloj divorci katolik. Prandaj, procesi e procedurat kanonike duhen ndërthurur me një kujdes baritor të vërtetë për të mirën e njerëzve e të Popullit të Zotit”.
Fakti se të divorcuarit e rimartuar nuk mund të marrin Kungimin e Shenjtë, nuk do të thotë se ata nuk bëjnë pjesë në bashkësinë e besimtarëve, theksoi atë Lombardi. Sinodi bëri thirrje që të angazhohen në fusha të ndryshme të jetës kishtare, duke u dhënë edhe përgjegjësi. Një nga tematikat më të vështira, për të cilat po flet Sinodi, është bashkimi ndërmjet homoseksualëve. Duke theksuar pamundësinë doktrinore për ta njohur këtë bashkim si martesë, etërit sinodalë nënvizuan rëndësinë e punës me vetë homoseksualët, edhe në grupe:
“U fol në linjën e baritorisë së dëgjimit, të respektit, të mikpritjes, duke i qëndruar gjithsesi besnik këndvështrimit të Kishës, sipas të cilit martesa realizohet ndërmjet një burri e një gruaje e jo ndërmjet një burri e një burri, apo një gruaje e një gruaje. E në linjën e respektit, u theksua edhe rëndësia e gjuhës së përdorur ndaj homoseksualëve, e cila shpesh nuk tregon mirëdashjen e duhur për ta”.
Gjithsesi, u theksua sot në Sinod, të drejtat e homoseksualëve dhe afirmimi i tyre ligjor në disa vende, sidomos në Afrikë e, në vendet e tjera në zhvillim, nuk mund të lidhet me ndihmat ekonomike të botës perëndimore e me presione nga më të ndryshmet. Njëlloj, edhe përsa i përket abortit e përdorimit të kontraceptivëve, që nuk mund të konsiderohen “të drejta themelore të njeriut”.








All the contents on this site are copyrighted ©.