2014-10-10 11:49:58

Papa Françesku: rrëmimi i ndërgjegjes, praktikë e lashtë, shumë e mirë


Për të mos e lënë të keqen të hyjë në zemrat tona, ekziston një praktikë shumë e lashtë, por edhe shumë e mirë. Ajo është rrëmimi i ndërgjegjes. Kështu tha sot Papa Françesku, në homelinë e meshës në Shtëpinë e Shën Martës. Ungjilli i ditës na kujton se djalli kthehet gjithnjë, e tundon përherë njeriun. “Djalli pret me durim – pohoi Ati i Shenjtë – e nuk e lë rehat atë, që e do për vete, pra, shpirtin tonë”:RealAudioMP3
“Pas tundimeve, në shkretëtirë, kur Jezusi u tundua nga djalli, në variantin e Ungjillit sipas Lukës, thuhet se demoni e la për një kohë, por gjatë jetës së Jezusit kthehej e kthehej gjithnjë: kur e vinin në provë, kur i ngrinin kurthe, gjatë Mundimeve e deri në Kryq. ‘Po Ti je i Biri i Zotit, eja, eja me ne, kështu ne do të besojmë’. E të gjithë e dimë se këto fjalë na e prekin zemrën: ‘A je i aftë? Ma trego! Jo, nuk je i aftë’. Ashtu si djalli, që e tundoi Jezusin deri në fund. Kështu bën edhe me ne”.
Duhet ta ruajmë zemrën, që të mos hyjnë shpirtra të këqinj, vijoi Papa. Duhet ta mbyllim atë me çelës, si shtëpinë e, duhet ta ruajmë, si të ishim roje. Shpesh vërejmë se kanë hyrë mendime të këqia, synime jo të bukura, xhelozi, zili. Po kush ua hapi derën? – pyeti Ati i Shenjtë. Duhet të kemi kujdes e të mos lejojmë që zemra jonë të kthehet në një shesh, ku hyn e del kushdo. Pa intimitet, Zoti nuk mund t’i flasë zemrës e pra, as të dëgjohet prej saj:
“E Jezusi thotë diçka tjetër, që duket e çuditshme: ‘Kush nuk mbledh me mua, shpërndan’. Përdor fjalën ‘mbledh’. Të kemi një zemër të përmbledhur, një zemër në të cilën e dimë ç’ndodh e kjo mund të bëhet përmes praktikës shumë të lashtë, por shumë të mirë të Kishës: rrëmimi i ndërgjegjes. Kush prej nesh, në mbrëmje, para se të përfundojë dita, mbetet vetëm dhe bën pyetjen: çfarë ka ndodhur sot në zemrën time? Çfarë ka ndodhur? Çfarë kaloi përmes zemrës sime? Nëse nuk e bëjmë këtë, vërtet, nuk dimë të vigjëlojmë e as ta ruajmë atë”.
Rrëmimi i ndërgjegjes është hir, sepse ta mbrosh zemrën do të thotë të mbrosh Shpirtin Shenjt, që banon në ne:
“Ne e dimë - Jezusi flet qartë – se djajtë kthehen, gjithnjë. Madje, edhe në fund të jetës, e Jezusi është shembull për këtë. E për t’u mbrojtur, për t’u ruajtur, që të mos hyjnë demonët, duhet të dimë të përmblidhemi, të qëndrojmë në heshtje para vetes e para Hyjit e, në fund të ditës ta pyesim veten: “Çfarë ndodhi sot në zemrën time? A mos ka hyrë ndokush, që nuk e njoh? Çelësi, a është në vendin e vet?’. Kjo do të na ndihmojë të mbrohemi nga shumë gjëra të këqia, edhe nga ato, që mund t’i bëjmë ne vetë, nëse hyjnë këta demonë, që janë shumë dinakë e nganjëherë, na mashtrojnë të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.