2014-10-09 15:54:24

Papa Françesku: në lutje, dhurata më e madhe është Shpirti Shenjt


Kur lutemi, kërkojmë shumë gjëra, por dhurata më e madhe, që mund të na bëjë Zoti, është Shpirti Shenjt: kështu tha Papa Françesku në homelinë e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, duke komentuar Ungjillin e ditës. Në të paraqitet shembëlltyra e njeriut, që duke ngulur këmbë, arrin të nxjerrë nga shoku i vet, atë që do. Zotit të mëshirës, vërejti Ati i Shenjtë, t’i kërkojmë të shtojë, atë që lutja e sotme e fillimit të meshës s’guxon as ta shpresojë:
“Kjo më bëri të mendoj: është pikërisht mëshira e Zotit, që jo vetëm fal – këtë e dimë të gjithë – por është bujar e jep gjithnjë e më shumë… I kërkojmë: “Shto atë që lutja nuk guxon ta shpresojë’. Ne, në lutje, kërkojmë këtë e atë e Ai (Zoti) na jep gjithnjë më shumë! Gjithmonë e gjithnjë më shumë”.
Në Ungjill, nënvizoi Papa, ka tri fjalë kyçe: miku, Ati dhe dhurata. Jezusi u tregon njerëzve ç’është lutja, komentoi Ati i Shenjtë shembëlltyrën e sotme. E krahasoi shokun e saj me shokët, që gjejmë në jetë. Kur janë miq të vërtetë, edhe kur u kërkojmë me këmbëngulje ndonjë gjë, duke i mërzitur, na e japin.
Pastaj Jezusi flet për Atin Qiellor, duke e krahasuar me një baba familjeje, i cili u jep bijve çdo gjë, që ata i kërkojnë. Edhe Zoti u jep për të ngrënë zogjve të fushës e jo më njerëzve, bijve të vet. Jezusi dëshiron të zgjojë besimin tek lutja, prandaj u thotë dishepujve të vet: “Kërkoni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokisni e dera do t’ju hapet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen e atij që troket do t’i hapet dera”. Atyre që e kërkojnë, Ati Qiellor do t’u dhurojë Shpirtin Shenjt:
“Kjo është dhurata, kjo është çka jep më tepër Zoti. Hyji nuk ta jep kurrë dhuratën, që i kërkon, pa e mbështjellë mirë, pa diçka më shumë, që ta bëjë më të bukur. E ai që Zoti, Ati ynë, na jep mbi atë që i kërkojmë, është Shpirti Shenjt: dhurata e vërtetë e Atit është çka lutja nuk guxon të shpresojë. ‘Unë po të kërkoj këtë hir; e kërkoj këtë, trokas e lutem shumë… Por vetëm shpresoj se do ta ma japësh’. E Ai, që është Atë, na jep atë dhe diçka më shumë: na jep dhuratën e Shpirtit Shenjt”.
Lutja, përfundoi Papa duke reflektuar edhe një herë mbi tri fjalët e sotme, bëhet me një mik, që është shoku i udhës së jetës, bëhet me Atin e bëhet në Shpirtin Shenjt. Miku është Jezusi:
“Është Ai, që na shoqëron e na mëson të lutemi. E lutja jonë duhet të jetë kështu, trinitare. Sa herë themi: ‘Po ti a beson?’. ‘Po, po’. ‘Po në çfarë beson?’. ‘Në Zotin!’. ?Po çfarë është Zoti për ty?’. ‘Zoti, Zoti!’. Por, mos u shkandulloni me ç’po them: Zoti nuk ekziston; kështu, në këtë formë, nuk ekziston! Ekziston Ati, Biri e Shpirti Shenjt: janë vetje, nuk janë një ide në ajër… Ky Zot i spërkatur nuk ekziston! Ekzistojnë vetje! Jezusi është shoku i udhës, që na jep ç’i kërkojmë; Ati Qiellor kujdeset për ne e na do; e Shpirti Shenjt është dhuratë, është diçka më tepër, që na jep Ati, diçka që ndërgjegjja jonë nuk guxon ta shpresojë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.