2014-10-09 14:11:08

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 28-të 'A'


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të së dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Në leximet biblike të kësaj së diele dominon tema e banketit esktalogjik, kumtimi i lavdisë së Zotit, në të cilin nxënësit janë ftuar të marrin pjesë. Është një mesazh gëzimi plot mirënjohjeje ndaj Zotit: begatia e banketit mesianik, që jehon në psalmin 22 e plotësohet në vizionin e botës së re pa vdekje as vajtim.
Leximet biblike të kësaj së diele kanë një atmosferë feste e lumturie. Izaia profet, në leximin e parë, përshkruan një banket të pasur e solemn të organizuar nga një mbret; Mateu në pjesën ungjillore flet për një banket martesor; psalmi përkujton një tryezë me qelqe përplot me verë. E fjala e Zotit nuk ngurron të përdorë imazhe kaq njerëzore e materiale, të lehta për t'u kuptuar, për të vënë në pah misteret e thella të Mbretërisë së Zotit.
Njerëzit thonë se Zoti hesht, se është i largët e nuk mund të gjendet. Zoti përkundrazi, në dëftimin e tij, na siguron se flet, se thërret, se nxit e se nuk dëgjohet.
Zoti thotë se është Atë, por njerëzit tundohen të jetojnë e të veprojnë pa Të. Njerëzit mund të rrinë pa Zot, por Zoti nuk mund të rrijë pa njerëz e për këtë arsye i thërret të gjithë të marrin pjesë në sofrën e vet, edhe mëkatarët.
Edhe këtë të diel, mësimi i Ungjillit trajton refuzimin e shpëtimit. Pasi ka refuzuar Gjon Pagëzuesin e vetë të Birin e Zotit, Izraeli refuzon edhe të gjitha propozimet e hirit e ftesat në dasma, që Zoti vazhdon t’i përgatisë përmes apostujve.
Në leximin e parë marrë nga Izaia profet, Zoti paraqitet si mbret fitimtar e shpëtimtar i të varfërve e si ai që i fton të gjithë popujt në banketin e Sionit. Në kuadrin e jetës fetare të Besëlidhjes së Vjetër, banketi është shenjë e miqësisë dhe e lumnisë qiellore.
Imazhet e banketit mesianik, të evokuara shpesh nga profetët, përdoren edhe nga Jezusi e interpretohen si referim i qartë i lavdisë së përjetshme e i festës eukaristike. Në banketin e shpëtimit janë të thirrur të gjithë njerëzit. Por jo të gjithë e pranojnë. As të gjithë përgjigjen e vijnë me ndershmëri.
Është mësimi shëmbëlltyrës së Ungjillit të kësaj së diele me të cilën Jezusi demaskon hipokrizinë e krerëve të popullit hebre, fajtorë për refuzimin e Krishtit e për këtë, përgjegjës të përjashtimit të popullit të zgjedhur nga Mbretëria. Ata janë të ftuarit e parë në "banketin martesor të dasmës" që ka përgatitur mbreti, që do të thotë Zoti, " për të Birin e vet", Jezusin, Mesinë e premtuar. Dërgoi tek ata profetët për të lajmëruar se "gjithçka është gati". Jo vetëm që u treguan indiferentë e armiqësorë, por madje arritën deri atje sa t’i vrisnin "shërbëtorët e mbretit", profetët. Shëmbëlltyra ungjillore pasqyron sjelljen negative të njerëzve ndaj mbretërisë, mendjemadhësinë e njerëzve që mbështeten e besojnë në drejtësinë e fuqinë njerëzore.
Ky fakt shkakton indinjatën e drejtë të mbretit dhe më pas dënimin e dëbimin. Shëmbëlltyra e Ungjillit të kësaj së diele, në njërën anë trajton temën e gjyqit të mbramë të Zotit dhe në anën tjetër, temën e shpresës së thirrjes sonë, për të marrë pjesë në sofrën qiellore si të ftuar e për t'iu përgjigjur me gatishmëri e guxim thirrjes së Zotit.
Pra, duhet të mësojmë të jemi të qëndrueshëm në thirrjen tonë e t'i përgjigjemi çdo ditë ftesës së dashurisë së Zotit, për të jetuar në përkim me mësimin e vullnetin e Tij Hyjnor.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë (Is 25, 6-10)
Zoti do të bëj një gosti e do të fshijë lotin nga çdo fytyrë.
Lexim prej Librit të Isaisë profet

Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plotë me palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti. Në këtë mal Ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin që i mbulonte të gjithë popujt. Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë.
Dhe do të thuhet po atë ditë: “Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli, sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon!” E për tokë do të shkelmohet në vend të vet Moabi, siç shkelmohet kashta në gropë të plehut.
Fjala e Zotit.

Psalmi 23 (22)
Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon
_____________________________
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
_____________________________
Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
_____________________________
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
_____________________________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
_____________________________

Leximi i dytë (Fil 12-14, 19-20)
Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.
Vëllezër, di të jetoj në skam dhe di të jetoj në pasje. Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka: të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak!
Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi! Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën time. Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli, nëpër Jezu Krishtin. Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve. Amen.
Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 22, 1-14)

Këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati; i preva demat e mi e bagëtitë e majme Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’
Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre.
Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’
Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar.
Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: ‘Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?’ Ai s’e çeli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”
Fjala e Zotit.
Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu..... RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.