2014-10-09 11:42:28

Festa e Zojës Rruzare në Bishtazhin të Gjakovës


Festë solemne kushtuar Virgjrës Mari, Nënës Hyjnore në bashkësinë kishtare të fshatit Bishtazhin të Gjakovës, në Kosovë, pajtores qiellore të kësaj famullie. Rreth altarit të shenjtë për të nderuar Zojën e Bekuar u mblodhën me mijëra e mijëra besimtarë nga të katër anët e Vendit.
Festa e Zojës Rruzare në Bishtazhin qe një kremtim shpirtëror prekës, me një pjesëmarrje të thellë shpirtërore të besimtarëve, të cilët në figurën e Nënës Hyjnore, kanë shembullin e jetës për të jetuar në përkim me planin e dashurisë që Hyji ka me çdo njeri.
Po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabije Ibrajt...RealAudioMP3
Të martën, me 7 tetor, Festa e Zojes Rruzare, u kremtua edhe në Kosovë, përkatësisht në Bistazhin të Gjakovës. Në këtë festë të gëzuar u mblodhën mijëra besimtarë nga kjo famulli dhe te tjera përreth, motra e meshtarë, autoritete lokale dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, për të kërkuar hire e bekime prej Nënës Qiellore, Zojës së Bekuar. Në bashkëmeshim me meshtarë të tjerë, Meshën solemne e kryesoi, famullitari i Prishtinës, Don Rrok Gjonlleshaj, i ftuar nga famulli i vendit, dom Marjan Dema. Dom rroku ka shërbyer për disa kohë edhe në Famullinë e Zojës Rruzare në Bistazhin. Në predikim dom Rroku fillimisht foli për historikun e domethënien e kësaj feste te shenjtë. ‘Rruzarja Shenjte është arma më e fortë që ne e mbajmë kundër armikut të shpirtit dhe të trupit’ tha don Rroku, duke i ftuar besimtaret që ta rikthejnë Lutjen e Rruzares nëpër familjet e tyre. ‘E Lumja Nënë Terezë, thoshte se, në atë familje ku lutet Rruzarja Shenjte, ajo familje do te jete e bashkuar, sepse aty jeton e banon Zoja e Bekuar, Nëna e Krishtit dhe Nena jonë qiellore. Apo siç thoshte Padre Pio ‘Lutja me devocion dhe përshpirteni’ - e dridh zemrën e Zotit’, u shpreh Don Rroku.

Duke pasur në dije edhe raste të ndryshme të ngatërresave dhe më shumë se kaq, që po ndodhin edhe në zonat e kësaj komune, dom Rroku u ndal edhe te akti i faljes, për të bërë thirrje familjeve për pajtim mes besimtarëve të hasmuar, e bëri thirrje që ata duhet të marrin shembull nga Jezu Krishti e të falin njëri-tjetrin me gjithë zemër. Siç na mëson edhe shembulli konkret i Papa Gjon Palit Dytë, i cili kishte falur dorasin, që pat shti mbi te, por që, Provania e Zotit kishte bërë që ai t’i mbijetonte sulmit. ‘Me falë nuk është akt i frikës, por është akt i dashurisë së krishterë, sepse ketë na mësoi vet Jezu Krishti. Prandaj duhet te flakim larg nesh ligjin e Besëlidhjes se Vjetër 'dhembin për dhemb’, e ‘syrin për sy', e t’i përmbahemi Ligjit të Dashurisë. 'Duani njeri-tjetrin, siç ju desha juve', është porosia e vet Jezu Krishtit, tha don Rrok Gjonlleshaj, i cili në fund të meshës dha bekimin e Festës së Zojës Rruzare, Pajtore e Famullisë se Bistazhinit te Gjakovës.
Në mbarim të Meshës, famullitari i vendit, dom Marjan Dema, përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe uroj festën bsimtarëve.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.