2014-10-08 15:13:33

Sinodi/Kardinal Filoni për familjet irakiane: shembull i madh force e bashkimi


Mesazh vlerësimi e inkurajimi për familjet në Irak, kërcënuar nga shfarosja e detyruar të ikin për të mos hequr dorë nga feja e krishterë. Etërit sinodalë, të vëmendshëm ndaj pasojave të intergalizmit islamik në Lindjen e Mesme, miratuan me shumicë votash këtë propozim, mbi të cilin ndalet, në mikrofonin tonë, prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni. Vetë prelati ka qenë në Irak gjatë muajit të gushtit, si i dërguar i veçantë i Papës Françesku:
Një nga realitetet më dramatike është pikërisht ç’ndodh në Irak, nga ku familjet janë detyruar të ikin, pasi ndodhen përballë alternativës: ose të heqin dorë nga feja, ose të largohen. Më duket se kjo është dëshmia më e bukur nga pikpamja e fesë. Pra, ato dëshmojnë fenë, pavarësisht nga problemet që dalin kur lënë shtëpitë, pasurinë etj.. Ajo që më bëri më shumë përshtypje, kur isha në Irak, është fakti se këto familje mbeten të bashkuara e kudo ikin së bashku, pa u ndarë. Prandaj, në Sinod, duhet thënë se dëshmia e fesë së familjeve të krishtera irakiane, jo vetëm është shumë e bukur e vlen për të gjithë, por ato vazhdojnë edhe të qëndrojnë të bashkuara, pavarësisht nga vështirësitë.
Duke pasur parasysh çiftet, që bashkëjetojnë pa martesë, gjatë Sinodit, ju thatë: “Këto nuk janë situata të panjohura, ekzistonin edhe në kohën e Jezusit”. Si i trajtonte Jezusi këto raste?
Po, pikërisht gjatë homelisë të së dielës së kaluar, Papa tha të vendosim në qendër misterin e Jezusit, jetën e Tij, sjelljen e thëniet e Tij. Mua më duket se Jezusi ka qenë i qartë që atëherë për këto tematika, të cilat sot, në aspekte të ndryshme, i shohim si akoma aktuale e madje, edhe dramatike. Pyes: si do të ishte përgjigjur Jezusi, çfarë do të kishte bërë përballë problematikave aktuale? Ka një lajmëtar për këtë, që është shën Gjon Pagëzuesi, paraardhësi i misionit të Jezusit. Shën Gjon Pagëzuesi u vra pikërisht sepse deshi t’i qëndronte besnik mësimeve të Zotit, planit të Hyjit. Herodi nuk duhej të jetonte me gruan e të vëllait e shën Gjon Pagëzuesi nuk gjeti ndonjë zgjidhje të lehtë për këtë situatë. Herodi e kuptoi fort mirë të vërtetën e shën Gjon Pagëzuesi pagoi për këtë me jetën e vet. Por, ky mesazh është ai i Jezusit. Kisha ka mision të njëjtë me shën Gjon Pagëzuesin: të tregojë Krishtin, t’i çojë njerëzit tek Krishti.
Imazhi tjetër biblik, që ju vetë përmendët si shembull të vërtete e mëshire, është takimi i Jezusit me samaritanen. Krishti i flet kësaj gruaje në pusin e Sikemit, por nuk e fsheh gjendjen e saj të parregullt…
I thotë të vërtetën e kështu, bën një vepër të jashtëzakonshme mëshire. E vërteta dhe mëshira ecin bashkë, por nuk ka mëshirë pa të vërtetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.