2014-10-07 13:47:55

Kardinali Sistach: Sinodi dëshiron të tregojë bukurinë e familjes


Dita e dytë e Sinodit për Familjen në Vatikan. Sot, diskutimet u përqendruan në dy tema kryesore: “Ungjilli i familjes dhe ligji natyror”, si edhe “Familja e thirrja e njeriut në Krishtin”.RealAudioMP3 Presidenti delegat i turnit, kardinali Luis Antonio Tagle, kryeipeshkvi i Manilës, paraqiti çiftin filipinas, që merr pjesë si dëgjues në Sinod. 46 e 47 vjeç, George e Cynthia Campos, kanë lënë punën për të shërbyer në shoqatën “Çiftet për Krishtin” së bashku me katër fëmijët e tyre. Cynthia tregoi se gjatë shtatzanisë së katërt i patën diagnostikuar diabet dhe preeklampsi e i patën thënë se fëmija mund të dilte me të meta. Çifti filipinas vendosi ta çojë deri në fund shtatzaninë e tani bija e tyre Christen është plot shëndet e jetë. Shoqata “Çiftet për Krishtin” është e pranishme në 81 dioqeza të Filipineve dhe ka degë në 163 vende.
Por për atmosferën e punimeve të Sinodit, të dëgjojmë intervistën me kryeipeshkvin e Barcelonës, kardinalin Lluis Martinez Sistach, i cili në lutjen që hapi mbledhjen e parë të djeshme, nënvizoi se ipeshkvijtë e pranishëm duhet të diskutojnë me ndjenjat e Bariut të Mirë, “që kujdeset për 99 delet e veta e shkon të kërkojë delen e humbur, me vetëdijen se sot, në disa anë të Kishës, numri po përmbyset”:
Ne duam të paraqesim bukurinë e martesës, të familjes, si bashkim intim i jetës në dashuri – siç na thotë Koncili II i Vatikanit – e kjo është e rëndësishme. Mendoj se e mira e njerëzve, e shoqërisë humane e të krishterë varet shumë nga familja. Duhet të punojmë për t’ia mësuar këtë rinisë, sepse kur martohen, ta dinë se dashuria e tyre duhet të jetë e pjekur, për gjithë jetën, besnike dhe e frytshme.
Sipas jush, sa njihen mësimet e Kishës dhe të Shkrimit Shenjt mbi martesën e familjen?
Mendoj se nuk njihen shumë. Nuk e di pse ndodh kjo, sigurisht arsyet janë të ndryshme: njerëzit kanë pak kohë për të studiuar, për të mësuar e dëgjuar. Besoj se pasuria e mësimeve të Kishës për familjen, për martesën, për burrin e gruan, për dashurinë e gjithë jetës, për bashkimin e çiftit, për hapjen ndaj jetës, për edukimin e krishterë të fëmijëve, besoj se të gjitha këto mund t’i bëjnë të lumtur njerëzit. Pak ditë më parë kremtova një meshë për Sinodin e Familjes e ishte aty një çift, që festonte 50-vjetorin e martesës. Dëshmia e tyre është mesazh për rininë: impenjimi për gjithë jetën, bashkimi i pazgjidhshëm, i bën njerëzit të lumtur, i ndihmon të realizohen. Është e mundur. Nganjëherë është e vështirë, por jo e pamundur.







All the contents on this site are copyrighted ©.