Urata e Rruzares pasqyrim i Ungjillit, na njeh me misteret e Krishtit.
Sonte Kisha katolike kremton natën e festës së Zojës Rruzare e me këtë festë,
Kisha në një farë mënyre përmbledh të gjitha solemnitetet e vitit kushtuar Virgjërës
Mari. Urata e lashtë e Rruzares Shenjte të cilën Kisha na porosit ta lusim çdo ditë
për të mirën e shptimin tonë shpirtërore e të mbarë njerëzimit, na ndihmon të njihemi
gjithnjë e më mirë e nga afër me jetën dhe veprën shpëtimprurëse të Jezu Krishtit.
Pra duke lutur uratën e Rruzares Shenjte ne përshkojmë së bashku me Zojën e Bekuar
misteret e fesë së krishterë, misteret e Krishtit Zot. Rruzarja mund të themi është
pasqyrim i Ungjillit.
Nuk mundë të meditojmë mbi Krishtin, përpos pa e ndie
në shpirt zërin e Atit Qiellor, sepse “askush nuk e njeh Birin përpos Atit (Mt 11,
27). Krishti kur i pyet apostujt mbi identitetin e tij, pas përgjigjes së Pjetrit
thotë: “As mishi as gjaku nuk ta zbuluan këtë por Ati im që është në qiell”(Mt 16,
17). Pra, është e nevojshme shpallja prej së larti, ndërsa për të pranuar është i
nevojshëm dëgjimi. Përmes përvojës së heshtjes dhe të lutjes arrihet pjekuria e nevojshme
e dijes mbi këtë fshehtësi.
Në vazhdim të lutjes së Rruzares flitet mbi disa
momente të rëndësishme nga jeta e Krishtit, edhe atë që nga fillimi i misionit të
tij. Përpos që meditojmë mbi mishërimin dhe jetën fëmijërore të Krishtit, për çka
flasin shenjat e gëzimit, apo mbi mundimet dhe vdekjen e tij, për çka flasin
shenjat e mundimit e deri te Ringjallja triumfale, për çka flasin shenjat
e lumturisë, Kisha dëshiron që të meditojmë edhe mbi disa momente nga jeta publike
e Krishtit, për çka na flasin shenjat e dritës.