2014-10-06 10:50:28

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 72, 73


Gjatë muajit të Rruzares vijojmë shfletimin e veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. Në kapitullin “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 72, 73, shenjti shtjellon më tej konceptin e skllavërisë vullnetare të besimtarit ndaj Zotit, duke marrë si shembull pikërisht Krishtin e Nënës e tij të shenjtë.RealAudioMP3

72. Nuk ka gjë ndërmjet njerëzve që na(i) bën t’i përkasim tjetrit, më shumë se skllavëria; njëlloj, ndërmjet të krishterëve, nuk ka gjë që na bën t’i përkasim plotësisht Jezu Krishtit e Nënës së tij të shenjtë, sesa skllavëria vullnetare (e vullnetshme), sipas shembullit të vetë Jezu Krishtit, që zgjodhi gjendjen e skllavit, sepse na deshi, e të Virgjërës së shenjtë, që e quajti veten shërbëtore e skllave e Zotit. Apostulli e ka për nder të thirret “shërbëtor i Krishtit”. Në Shkrimin Shenjt të krishterët shumë shpesh quhen “shërbëtorët e Krishtit”. Termi ‘shërbëtor”, sipas vërejtjes së drejtë të një dijetari, një herë e një kohë kishte kuptimin skllav, sepse asohere nuk kishte shërbëtor me kuptimin e sotëm; zotërinjtë shërbeheshin vetëm nga skllevërit ose nga libertët, skllevër të liruar. Katekizmi i Koncilit Shenjt të Trentit, për të na zhdukur çdo dyshim se jemi skllevër të Jezu Krishtit, shprehet me një term, që nuk mund të ketë dy kuptime(nuk mund të jetë i dykuptimtë, i dyshimtë) e na quan mancipia Christi, skllevër të Jezu Krishtit.

73. Si e thamë këtë, pohoj se duhet t’i përkasim Jezu Krishtit e t’i shërbejmë jo vetëm si shërbëtorë të paguar, po si skllevër për dashuri, që e dhurojnë gjithë vetveten për shkak të një dashurie të madhe e vendosin t’i shërbejnë si skllevër, vetëm për të pasur nderin t’i përkasin. Para pagëzimit ne ishim skllevër të djallit; pagëzimi na bëri skllevër të Jezu Krishtit; të krishterët mund të jenë o skllevër të djallit, ose të Jezu Krishtit. Zgjidh e merr!








All the contents on this site are copyrighted ©.