2014-10-06 12:21:01

Papa: Sinodi t’i dëgjojë vështirësitë, t’i shërojë plagët. Nisin sot punimet e Sinodit mbi familjen.


Filluan sot në Vatikan punimet e Asamblesë III të Përgjithshme të Jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, mbi temën e rëndësishme: “Sfidat baritore për familjen, në kuadrin e ungjillëzimit”. Etërit sinodalë, sipas Papa Françeskut duhet të kenë “dhuratën e dëgjimit”, jo vetëm “të Zotit” por edhe “të popullit”. Prandaj të jenë “të gatshëm” për një “konfrontim të sinqertë, të hapur e vëllazëror “, që “të na ndihmojnë t’i marrin mbi vete përgjegjësitë baritore të çështjeve që bart me vete ndryshimi epokal i sotëm”. “Bashkimi i jetës, pranuar nga bashkëshortët, hapja e tyre ndaj dhuratës së jetës, takimi e kujtimi i brezave, edukimi, transmetimi i fesë së krishterë tek të gjithë pa dallim e pa përjashtim” të gjendjes në të cilën ndodhën. E së fundi aftësinë ”për të shikuar gurrën e përvojës së krishterë”, nga e cila përherë “hapen udhë e mundësi të reja të paparamenduara”. Në të njëjtën kohë, Papa porosit pjesëmarrësit e sinodit, t’u shmangen ndeshjeve dhe qëndrimeve të prera e t’i shqyrtojnë me guxim edhe udhët e reja, për t’ju përgjigjur kështu problemeve baritore që ka familja në realitetin e sotëm bashkëkohor.
Sinodi i jashtëzakonshëm, që nisi sot punimet në Vatikan, është etapa e parë e një udhe që do të zgjasë deri te sinodi i rregullt vitin e ardhshëm 2015, përmes të cilit Kisha kërkon udhë të përshtatshme e orientime baritore për përballimin e sfidave të familjeve të sotme. Kujtojmë kështu shumë familje që përballen me vështirësi të ndryshme, familje të shpërbëra, familje që kanë prishur sakramentin e kurorës së martesës, që janë të divorcuara e që kërkojnë të marrin kungimin e Shenjtë të Eukaristisë gjatë Meshës, familje që janë në situata “jo të rregullta”, ato që bashkëjetojnë, besimtarë të divorcuar e që kanë krijuar familje, me probleme dhe tipare, që nuk përkojnë me kanunet e doktrinës katolike. Papa Françesku, nuk dëshiron që këto të ndjehen të përjashtuara nga Kisha. Prandaj edhe nevoja e shqyrtimit dhe e gjetjes së udhëve e të orientimeve të reja baritore, ka qenë një ndër 39 pyetjet që përmbante pyetësori, përmes të cilit në fillim të vitit është konsultuar baza katolike e mbarë botës.
Mbi këto çështje e shumë të tjera, nga dita e sotme deri më 19 tetor, do të konfrontohen 191 etërit sinodalë – kardinaj, ipeshkvij e rregulltarë – të ndihmuar nga 16 ekspertë, 39 auditorë, ndër ta edhe 13 çift të martuara e 8 delegatë të Kishave tjera: gjithsej 253 pjesëmarrës.
Papa Bergoglio kërkon një “konfrontim të hapur, të sinqertë e vëllazëror” gjatë sinodit, duke ripohuar se familja vazhdon të jetë “shkollë e pazëvendësueshme e njerëzimit, kontribut i domosdoshëm për një shoqëri të drejtë e solidare”. Kisha, nga ana saj, duhet të jetë pranë njerëzve të varfër e në vështirësi, duke treguar e transmetuar mëshirën e Hyjit, e bindur se me fuqinë e hirit të Zotit është në gjendje “t’i shërojë plagët që rrjedhin gjak, në mënyrë që të ndezë përsëri shpresën”, sepse, kujtoi Papa Françesku, “ka shumë njerëz që janë pa shpresë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.