2014-10-06 15:41:32

Kardinali Erdë në Sinod: “Familja nuk është model jashtë mode”


Ta shohim familjen me shpresë e mëshirë, duke kumtuar vlerat e bukurinë e saj, sepse, pavarësisht nga vështirësitë, ajo nuk është “model jashtë mode”. Këto janë fjalët e kardinalit Peter Erdë, relator i përgjithshëm i Sinodit për Familjen, që vijon në Vatikan. Në relacionin e tij para diskutimeve - një nga më të rëndësishmit e mbledhjes sinodale, që përcakton çështjet kryesore, bazë për shkëmbimin e ideve - kardinali analizoi gjendjen e sotme të familjes, në epokën e individualizmit, duke nisur nga martesa e pazgjidhshmëria e saj, tek të divorcuarit e tek bashkimet ndërmjet homoseksualëve, që nuk duhen barazuar me martesën e një burri me një grua. Kardinali vuri në dukje edhe se doktrina e Kishës për këto tema njihet pak:RealAudioMP3
“Kjo vlen, në veçanti, përsa i përket pazgjidhshmërisë së martesës e shenjtërimit të saj nga të pagëzuarit. Nuk vihet në diskutim doktrina mbi pazgjidhshmërinë e martesës si e tillë, madje, ajo nuk kundërshtohet e në pjesën më të madhe, ndiqet edhe në praktikën baritore të Kishës me njerëzit, që kanë dështuar në martesë e kërkojnë të rifillojnë nga e para. Pra, jo çështjet doktrinore, por çështjet praktike – gjithsesi, të pandashme nga të vërtetat e fesë – diskutohen në këtë Sinod, me natyrë pastërtisht baritore”.
Familja është gati-gati realiteti i fundëm njerëzor mikpritës, në një botë ku sundon financa dhe teknologjia, vazhdoi më tej kardinali hungarez, duke vënë në dukje faktorët, që e kërcënojnë bashkimin familjar, si divorci, aborti, dhuna, varfëria, abuzimet, mungesa e punës, çekuilibri i shkaktuar nga emigracioni… E megjithatë, familja është shkollë humaniteti, në favor të së cilës duhet të angazhohen të gjitha shtetet. Relatori i përgjithshëm i Sinodit vuri gishtin mbi plagët e familjes, sidomos në vështirësitë e martesës, duke e hapur portën për të divorcuarit, por jo edhe për të divorcuarit e rimartuar:
“Mëshira nuk i zhduk impenjimet, që lindin nga lidhja martesore. Këto vazhdojnë të mbeten edhe kur dashuria njerëzore pakësohet, ose zhduket. Kjo do të thotë se, në rastin e një martese sakramentore (të konsumuar), pas divorcit, ndërsa bashkëshorti është akoma gjallë, nuk është e mundur një martesë e dytë, e njohur nga Kisha”.
Gjendjet familjare janë të ndryshme ndërmjet tyre, prandaj janë të nevojshme linja baritore të qarta, për të cilat duhet të punojë këto ditë Sinodi. Të divorcuarit e rimartuar, theksoi prelati, duhen shoqëruar nga Kisha, në mënyrë që të kuptojnë arsyet e dështimit të martesës së tyre të parë, duke dalluar atë, që është fajtor për thyerjen e kurorës nga ai, që është braktisur nga shoku i jetës. Për shkak të mendësisë së sotme, shumë nga martesat e kremtuara në Kishë, vazhdoi kardinali Erdë, mund të jenë “të paqena”, që në fillim. E këtu, kërkoi studimin e praktikës së disa Kishave ortodokse, që parashikojnë mundësinë e martesës së dytë e të tretë, me karakter pendestar.
Në pjesën e fundit, dokumenti i relatorit të përgjithshëm ndalet në Ungjillin e jetës, nga zënia deri në vdekjen natyrore. Sidomos në botën perëndimore, denoncoi kardinali Erdë, ka nga ata që nuk duan fëmijë, ose ata, që duan fëmijë me çdo kusht. Dy faqe të së njëjtës medalje, që e redukton jetën në vetëvendosjen e njeriut:
“Mikpritja e jetës, marrja përsipër e përgjegjësisë për lindjen e jetës e për kujdesin që ajo kërkon, janë të mundura vetëm nëse familja nuk kuptohet si fragment i izoluar, por si pjesë e një sërë marrëdhëniesh. …Bëhet gjithnjë e më e rëndësishme të mos e lëmë familjen e familjet vetëm, por t’i shoqërojmë e t’i mbështesim në udhën e tyre. …Mbrapa tragjedive familjare, shpesh ka një vetmi të dëshpëruar, një britmë vuajtje, që askush nuk e ka kuptuar”.
Solidariteti është rruga, që propozon kardinali, në mënyrë që të kapërcehet i ashtuquajturi “privatizim i ndjenjave”, i cili e zhvesh familjen nga kuptimi i saj i vërtetë dhe ia beson atë individit. Në nivelin institucional, kardinali Erdë kërkon krijimin e kushteve, që lehtësojnë lindjen e fëmijëve e kujdesin për të moshuarit, pasuri shoqërore për t’u mbrojtur e favorizuar. Nga ana e saj, Kisha duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë edukimit për një dashuri e seksualitet të shëndoshë, duke shmangur banalizimet e qëndrimet sipërfaqësore. Ajo duhet të jetë në gjendje t’i paraqesë kësaj shoqërie të ndërlikuar, forcën tërheqëse të mesazhit të krishterë për familjen e martesën, sepse “bota ka nevojë për Krishtin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.