2014-10-05 13:56:21

U kremtua mesha për hapjen e Sinodit mbi Familjen. Papa: të bashkëpunojmë me planin e Zotit


Sinodi nuk shërbën për të diskutuar ide të bukura, por për të bashkëpunuar me Zotin për realizimin e planit të Tij të dashurisë. Kështu tha sot paradite Papa Françesku, në meshën që përuroi Sinodin e jashtëzakonshëm për Familjen, i cili do të vijojë deri më 19 tetor. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë nënvizoi se duhet t’i rezistojmë lakmisë për para e pushtet. Në kremtim, në Bazilikën e Shën Pjetrit, morën pjesë shumë etër sinodalë. Gjatë lutjes së besimtarëve, u përmendën familjet, popujt në luftë e të gjithë ata, që vuajnë për shkak të shkandujve. RealAudioMP3
“Të punojë për vreshtën e Zotit”, për “ëndrrën e Hyjit, që është populli i vet”: këtë duhet të bëjë Sinodi, sipas Papës. Realizimi i kësaj ëndrre, theksoi, kërkon shumë kujdes e dashuri, durim e besnikëri:
“Asambletë sinodale nuk shërbejnë për të diskutuar mbi ide të bukura e origjinale, ose për të parë kush është më inteligjent... Shërbejnë për ta kultivuar e për ta ruajtur më mirë vreshtin e Zotit, për të bashkëpunuar në ëndrrën e Tij, në planin e Tij të dashurisë për popullin e vet. Në këtë rast, Zoti na kërkon të kujdesemi për familjen, e cila, që nga zanafilla, është pjesë përbërëse e planit të Tij të dashurisë për njerëzimin”.
Por, nënvizoi më tej Ati i Shenjtë, ka bujq, që për shkak të lakmisë e të mendjemadhësisë, nuk e bëjnë punën, por mendojnë vetëm për interesat e tyre. Kështu, vreshti prodhon vetëm rrush të papjekur e shkakton gjakderdhje e shtypje, në vend të drejtësisë e ndershmërisë:
“Lakmia për para e pushtet. E për ta ngopur këtë lakmi, barinjtë e këqinj ngarkojnë mbi shpatullat e njerëzve pesha të padurueshme, të cilat, ata vetë, nuk i lëvizin as me gisht (shih Mt 23,4)”.
Tundimi për t’u bërë zotërit e vreshtit, për shkak të lakmisë, nuk mungon tek njerëzit, vërejti Papa Françesku. Ëndrra e Zotit ndeshet gjithnjë me hipokrizinë e disa prej shërbëtorëve të vet:
“Ne mund ta pengojmë ëndrrën e Zotit, nëse nuk e lejojmë Shpirtin Shenjt të na udhëheqë. Shpirti na jep atë urti, që shkon përtej shkencës, për të punuar me bujari, me liri të vërtetë e përvuajtëri plot krijimtari”.
Atëherë, përfundoi Ati i Shenjtë, për ta kultivuar e për ta ruajtur mirë vreshtin, krerët e popullit, klasa drejtuese, duhet të punojë me liri, krijimtari e zell, duke ua përshtatur mendimet e planet, ëndrrës së Hyjit për të formuar një popull të shenjtë, që sjell shumë fryte të mira drejtësie.








All the contents on this site are copyrighted ©.