2014-10-05 18:13:50

Shenjtorët e javës 6-12 tetor 2014


Nesër, më 6 tetor, përkujtojmë shën Brunon. Martiriologu romak shkruan për të: “Shën Bruno, meshtar, i cili, i ardhur nga Këlni në Lotaringë, në territorin e Gjermanisë së sotme, pasi ishte profesor i teologjisë në Francë, me dëshirën për jetë vetmitare, themeloi me disa dishepuj, në luginën e shkretë të Chartroux, një Urdhër, në të cilin vetmi e eremitëve të kombinohej me një formë minimale jete në bashkësi. I thirrur në Romë nga Papa i lum Urbani II, që ta ndihmonte për nevojat e Kishës, arriti të kalonte vitet e fundit të jetës në një eremitazh, pranë manastirit të La Torre-s në Kalabri.
Të martën, më 7 tetor, kremtohet Zoja Rruzare. Në këtë ditë, duke thënë Rruzaren, ose së paku një dhjetëshe të saj, kërkojmë mbrojtjen e Nënës së Shenjtë të Zotit për të medituar mbi misteret e Krishtit, nën udhëheqjen e asaj, që pati rol të veçantë në mishërimin, mundimet e ringjalljen e Birit të Hyjit.
Të mërkurën, më 8 tetor, Kisha Katolike përkujton shën Pelagjinë. Qe një e re martire nga Antiokia, viktimë e persekutimit të Dioklecianit. Pelagjia, 15-vjeçare, e dëshmoi në mënyrë të veçantë besnikërinë e saj ndaj Krishtit: kur ushtarët e perandorit shkuan në shtëpinë e saj për ta marrë e për ta çuar para gjyqit - i cili me diguri do ta dënonte me vdekje, sepse ishte e krishterë – Pelagjia kërkoi të ndërronte veshjen. Kështu, hypi në katin e fundit e u hodh nga dritarja.
Më 9 tetor, ditën e enjte, bie festa liturgjike e shën Gjon Leonardit dhe e të Lumit Xhon Njuman. Kardinali Njuman (1801-1890) ka qenë teolog e filozof anglez e konsiderohet një nga prozatorët e apologjetët më të mëdhenj të fesë në Britaninë e Madhe. Është i vlerësuar edhe nga jo katolikët. Është quajtur një nga etërit e Koncilit II të Vatikianit në mungesë, për shkak të ndikimit që pati mendimi i tij i fuqishëm. Në varrin e të Lumit është shkruar një epitaf, i menduar nga ai vetë: “Nga hija e nga simbolet tek e vërteta”. U shpall i Lum më 19 shtator 2010 nga Papa Benedikti XVI.
Të premten, më 10 tetor, Kisha përkujton shën Daniel Kombonin, shën Cerbonion e shën Tankën. Në qytetin e Khartumit, në Sudan, shën Daniel Komboni, ipeshkëv, themeloi Institutin e Misioneve Afrikane dhe punoi pa u lodhur e pa i kursyer energjitë në predikimin e Ungjillit e në kujdesin për dinjitetin e njerëzve.
Më 11 tetor, ditën e shtunë, bie festa liturgjike e shën Santinit, shën Gjonit XXIII, shën Filipit, diakon. Shën Gjoni XXIII, papa i mirë, qe njeri me humanitet të jashtëzakonshëm, i cili me jetën, veprat e zellin e tij baritor u përpoq t’u dikonte të gjithëve bamirësinë e dashurinë e krishterë e të promovonte bashkimin vëllazëror ndërmjet popujve. Veçanërisht i kujdesshëm ndaj misionit të Kishës së Krishtit në të gjithë botën thirri Koncilin II Ekumenik të Vatikanit.
Të dielën, 12 tetor, e diela XXVIII e vitit kishtar, përkujtohet shën Serafini nga Montegranaro.








All the contents on this site are copyrighted ©.