Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVII: Perandoria Otomane dhe Selia
e Shenjtë (XII)
Emisioni i dymbëdhjetë i rubrikës, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë
otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar
në revistën e mirënjohur të jezuitëve “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor
2013, i kushtohet marrëdhënieve ndërmjet Perandorisë Otomane dhe Selisë së Shenjtë.
Selia e Shenjtë
e priti me kënaqësi kërkesën për të hyrë në lidhje të drejtpëdrejtë me Portën e Lartë,
sepse kjo lidhje i krijonte mundësinë të sqaronte se interesat e Kishës në Lindjen
e Mesme nuk kishin kurrfarë lidhjeje me interesat pushtuese të fuqive evropiane.
Kështu Selia e Shenjtë distancohej nga modelet e kulturës perëndimore, që në atë kohë
po shekullarizohej, mbi bazën e ideologjisë nacionaliste, e papranueshme për Kishën.
Në këtë aspekt, këndvështrimi ‘vatikanas’, i bazuar mbi universalizmin katolik, nuk
ishte tepër larg nga konceptimi ortoman i shtetit, ashtu si propagandohej nga autoritetet
qendrore. Për të mbrojtur bashkësitë katolike, të pranishme në perandori, Selia e
Shenjtë u përpoq të përcaktonte fushat e veprimtarisë, në mënyrë që të vendoste lidhjen
me udhëheqjen otomane, pavarësisht nga sistemi proteksionist, duke vepruar me shumë
kujdes për të mos hyrë në konflikt me fuqitë katolike evropiane. Mishi duhet të piqej,
po helli të mos digjej! Kujtojmë se në shekujt XVII e XVIII u vu në jetë një
formë primitive poteksionizmi apo vetëmbrojtjeje: merkantilizmi. Synimi ishte të forcoheshin
ekonomitë vendase, duke kufizuar në kulm importin. Në shekullin XVII ekonomia e lirë
kapitaliste, që kishte si vijë kryesore politike konkurencën e lirë, e kufizonte proteksionizmin
në sektorët më të dobët të prodhimit e, sidomos, në sektorin e bujqësisë, që ishte
më pak i zhvilluar si dhe të industrisë, në fasha. Në shekullin XIX vërehet lindja
e një lloj teorie proteksioniste, që u njoh si e “shtetit tregtar të mbyllur”. Kjo
teori iu kundërvu tregut të lirë (free trade), duke e konsideruar si të papërshtatshëm
për kohën. Vetëm aty nga gjysma e shekullit XIX, falë ringjalljes ekonomike të shteteve
të rrënuara nga lufta, doli në plan të parë nevoja e tregut të lirë. Po Selia
Apostolike nuk kërkonte treg të lirë, as kufij të hapur, për të shitur mallërat e
saj. Kërkonte kufij të hapur për të predikuar Krishtin. Duke nisur nga viset, ku kishte
lindur, kishte predikuar, ishte kryqëzuar e ngjallur. Përgjithësisht në Tokën e Shenjtë,
veçanërisht, në Jeruzalem. Hapat e parë në këtë drejtim u bënë në fillim të Papnisë
së Piut IX. Ishte Porta e Lartë ajo që, në vitin 1847, pasi vlerësoi gatishmërinë
e Selisë së Shenjtë, i hapi rrugën lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet përfaqësuesve
të kësaj Selie me Sulltanin-kalif të Stambollit. Me sa thuhet, ideja e misionit i
qe këshilluar Vezirit të Madh nga një prift napolitan, gjysëm ngatërrestar e gjysëm
studiues i çështjeve Lindore, që jetonte në Stamboll. Ideja i pëlqeu shumë sulltanit
Abdyl Mexhidi (1839-1861) i cili dha urdhër të fillonin sa më shpejt kontaktet e para
me Romën.