2014-10-03 10:21:19

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 68


Papa Françesku na fton të lutemi për Sinodin e familjeve, që do të fillojë me meshën e kremtuar nga vetë Ati i Shenjtë në Sheshin e Shën Pjetrit, këtë të dielë. E meqë jemi në muajin e Rruzares, Papa kërkon të lutemi me anë të saj. Për t’ju ndihmuar në këtë lutje, vijojmë shfletimin e veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, kapitulli “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë”. Paragrafi 68 na shpjegon se ne jemi të krijuar në Krishtin për vepra të mira. Kujtojmë se Zoja na çon gjithnjë tek Biri i saj, gurra ku ushqejmë fenë tonë në Zotin. Pra, Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë, duhet të jetë qëllimi i fundit i të gjitha devocioneve tona. E kjo është e vërteta e parë për të cilën flet shën Luigji. Sot, e dyta.

68. E vërteta e dytë. Duhet të përfundojmë, duke nisur nga vendi që zë Jezu Krishti në ne e duke kuptuar se nuk i përkasim vetvetes, por, siç thotë Apostulli, krejtësisht Atij, si gjymtyrë të tij e skllevër të tij, që ai i bleu jashtëzakonisht shtrenjtë, me çmimin e gjakut të vet.
Para pagëzimit, i përkisnim djallit, si skllevër të Tij. Pagëzimi na bëri skllevër të vërtetë të Jezu Krishtit, që duhet të jetojnë, të punojnë e të frytojnë për këtë Zot Njeri, duke e lumnuar në korpin tonë e duke e bërë të mbretërojë në shpirtin tonë, sepse jemi plaçka e tij e luftës, populli e trashëgimi i tij. Për këtë arsye, Shpirti Shenjt na krahason:
1. me drurët e mbjellë përgjatë rrjedhës së hirit, në arën e Kishës, që duhet të japin fryte në kohën e duhur;
2. me shermendët e hardhisë, që kanë për cungë Jezusin e duhet të japin shumë fryte;
3. me grigjën, që ka për bari Jezu Krishtin e duhet të shumohet e të japë qumësht;
4. me tokën pjellore, që punohet nga Zoti, në të cilën fara shumëfishohet e prodhon tridhjetë, gjashtëdhjetë ose njëqind për një. Jezu Krishti e mallkoi fikun shterp, e dënoi shërbëtorin e padobishëm, që nuk e shfrytëzoi si duhet talentin. Gjithë kjo do të thotë se Jezusi dëshiron të marrë ndonjë fryt nga ne, nga vetjet tona mjerane, domethënë, veprat e mira, që ato t’i përkasin vetëm Atij: “Të krijuar në Krishtin për vepra të mira”(Ef 2,10). Këto fjalë të Shpirtit Shenjt dëshmojnë se Jezu Krishti është fillesa e vetme e duhet të jetë edhe caku i vetëm i veprave tona të mira, ashtu edhe se duhet t’i shërbejmë jo vetëm si shërbëtorë të paguar, por si skllevër dashurie.
Në paragrafin 69 e 70, të cilat mund t’i ndiqni nesër në faqen tonë të internetit , shën Luigji shpjegon çdo të thotë kjo, pra ç’do të thotë te jemi me vetëdije “skllevër të Krishtit”, për hir të dashurisë që kemi për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.