2014-10-03 13:35:50

Papa: shëlbimi është vetëm në Jezusin, jo në ligjet e shumta të njerëzve


Të besojmë në Jezusin, mbartës i një mesazhi, që shëlbon njerëzimin e të gjithë kohrave, apo të strehohemi në një shpëtim, fryt i “udhërimeve të njeriut”. Kjo është dilema, për të cilën foli sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit.RealAudioMP3
Dëshira e vetme e Zotit është shpëtimi i njerëzimit, por shpesh janë vetë njerëzit, që duan të vendosin rregullat e tyre e të mos ndjekin urdhërimet e Tënzot. Ky paradoks dramatik, që ndeshet në faqet e Biblës, arrin kulmin në ngjarjet me protagonist Krishtin. Papa mori shkas nga pjesa ungjillore ku Jezusi shpreh keqardhjen për mospranimin e njerëzve të vet, në çastin kur judenjtë i kthejnë shpinën. “Nëse në Tir e në Sidonë do të kishin ndodhur mrekullitë, që ndodhin mes jush – thotë Ai në Korazin e në Betsaidë - do të ishin kthyer prej kohësh në udhën e Hyjit”. Kjo është rezistenca e krerëve të popullit, të cilët patën vrarë profetët para Jezusit, vuri në dukje Ati i Shenjtë, e tani bëjnë të njëjtën gjë me vetë Krishtin:
“Është pikërisht klasa drejtuese, ajo që ia mbyll dyert mënyrës me të cilën dëshiron të na shpëtojë Zoti. Kështu kuptohen debatet e ashpra të Jezusit me klasën drejtuese të kohës së tij: grinden, e vënë në provë, i ngrenë kurthe për të parë nëse bie në to, sepse kjo është rezistenca kundër shëlbimit. Jezusi u thotë: ‘Unë nuk ju kuptoj! Jeni si fëmijët: i ramë flautit e nuk kërcyet; ju vajtuam e nuk derdhët lot. Po çfarë doni?’; ‘Duam të shpëtojmë sipas mënyrës sonë!’. Gjithnjë, po ato dyer të mbyllura për mënyrën e Zotit”.
Papa Françesku e dalloi këtë sjellje nga ajo e popullit besimtar, i cili e kupton dhe e pranon shëlbimin, që sjell Jezusi. Për krerët, nënvizoi Ati i Shenjtë, ky shëlbim vjen nga ndjekja e 613 rregullave të ligjit, krijuar nga “ethet e tyre intelektuale e teologjike”:
“Ata nuk besojnë në mëshirën e në faljen: besojnë në flijimet. ‘Mëshirë dua, jo holokauste’. Besojnë në gjërat e sistemuara mirë, të gjitha të qarta. Kjo është drama e rezistencës ndaj shëlbimit. Edhe ne, secili prej nesh, e ka këtë dramë brenda. Por do të na bëjë mirë ta pyesim veten: si dua të shëlbohem? Sipas mënyrës sime? Sipas ndonjë përshpirtërie, që është e mirë, më bën mirë, por është e fiksuar, e qartë e s’ka rrezik? Apo sipas mënyrës hyjnore, pra, në udhën e Jezusit, që na befason gjithnjë, që na hap dyert e misterit të Gjithpushtetit të Zotit, i cili është mëshirë e falje?”.
Kjo dramë, vijoi Papa Françesku, është në zemrën tonë. E gjithnjë duhet të reflektojmë kur na qëllon ta ngatërrojmë lirinë me autonominë:
“Besoj se Jezusi është Mësuesi, që na tregon udhën e shëlbimit, apo shkoj gjithandej për të marrë me qera ‘guru’, që më mësojnë ndonjë tjetër? Dua një rrugë të sigurtë, apo strehohem nën çatinë e rregullave e të urdhërave të shumtë, vendosur nga njerëzit? E kështu e ndjej veten të sigurtë e me këtë lloj sigurie… ‘e blej’ shëlbimin, që Jezusi e jep falas, me bujarinë e Zotit. Duhe t’ia bëjmë vetes këto pyetje. E fundit: unë, a i rezistoj shpëtimit, që vjen prej Jezusit?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.