2014-10-03 15:22:19

Papa: mungojnë meshtarët, por kujdes në zgjedhjen e kandidatëve


Për shkak të krizës së thirrjeve për meshtari “ne ipeshkvijtë tundohemi të marrim pa i shoshitur mirë të rinjtë që na paraqiten. Kjo është keq për Kishën!”. Denoncimi i fuqishëm vjen nga goja e vetë Papës Françesku, në takimin me Kongregatën për Klerin, anëtarët e së cilës i priti sot në audiencë. U foli, sipas stilit të tij vëllazëror, duke shtuar diçka në fjalimin e përgatitur. E si gjithnjë, fjalët që thotë pa letër, bëhen ideja kryesore e mendimit të Atit të Shenjtë. Duke pasur parasysh shkandullet e kohëve të fundit në Kishë, Papa iu drejtua ipeshkvijve:RealAudioMP3
“Ju lutem, duhet të studiohet mirë rruga e thirrjeve për meshtari! Të shqyrtohet mirë nëse ajo thirrje vjen prej Zotit, nëse ai njeri është i shëndoshë, nëse është i ekuilibruar, nëse është i aftë të dhurojë jetën, të ungjillëzojë, nëse është në gjendje të formojë familje, por dëshiron të heqë dorë prej saj për të ndjekur Jezusin”.
E pastaj, sërish:
“Sot, kemi shumë probleme e në shumë dioqeza, për shkak të gabimit të disa prej ipeshkvijve, që marrin ata, të cilët nganjëherë, përjashtohen nga seminaret, ose nga shtëpitë e rregulltarëve, sepse [ipeshkvijtë] kanë nevojë për meshtarë. Ju lutem! Duhet të mendojmë për të mirën e popullit të Zotit”.
Në fjalën e tij, Ati i Shenjtë shpjegoi se detyra e ipeshkvijve dhe e përgjegjësve të seminareve është t’i mbrojnë e t’i shoqërojnë thirrjet meshtarake, në mënyrë që ato të sjellin fryte të pjekura:
“Ato janë një ‘diamant i papërpunuar’, që duhet latuar me kujdes, me respekt për ndërgjegjen e njerëzve e me durim, që të shndrisin në mesin e popullit të Zotit. Formimi nuk është akt i njëanshëm, me të cilin transmetohen nocione, teologjike apo shpirtërore”.
Papa kujtoi se Jezusi nuk u tha njerëzve “eja, se po të shpjegoj; eja me mua se po të mësoj”. Formimi, që Krishti u ofroi dishepujve të vet është “eja e më ndiq”, “bëj siç bëj unë” e kjo është edhe metoda, që duhet të ketë Kisha për ministrat e vet. Kjo lloj përvoje i afron gjithnjë e më shumë dishepujt me Krishtin:
“Pikërisht për këtë, ajo nuk mund të jetë detyrë me afat të kufizuar, sepse meshtarët nuk rreshtin kurrë së qeni dishepuj të Jezusit, pas gjurmëve të Tij. Nganjëherë, ecim shpejt, herë të tjera hapi është i pasigurtë, ndalemi e mund edhe të biem, por gjithnjë, duke ecur në po atë udhë. Prandaj formimi si dishepull i Krishtit e shoqëron gjithnjë jetën meshtarin e ka të bëjë me krejt personin e tij, nga pikpamja intelektuale, njerëzore e shpirtërore. Formimi fillestar e ai i vazhdueshëm dallohen, sepse kërkojnë kohë e mënyra të ndryshme, por janë dy gjysma të të njëjtit realitet, të jetës së dishepullit të dashuruar në Zotin e vazhdimisht pas gjurmëve të Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.