2014-10-03 17:28:46

35. Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 69,70


Në paragrafin 69 e 70, të veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, kapitulli “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” shpjegohet ç’do të thotë të jemi me vetëdije “skllevër të Krishtit”, për hir të dashurisë që kemi për të.

69. Ka dy mënyra mbi këtë tokë për t’i përkitur një tjetri e për t’u varur nga autoriteti i tij: shërbimi i thjeshtë e skllavëria; prej këndej, ne e quajmë njërin shërbëtor, tjetrin, skllav.
Në skllavëri, njeriu varet plotësisht nga një tjetër përgjithëjetë e duhet t’i shërbejë zotërisë së tij, pa pritur kurrfarë pagese a shpërblimi, si të ishte kafshë, të cilën i zoti mund ta lërë gjallë, ose ta mbysë.

70. Ka tri lloje skllavërish: skllavëri natyrore, skllavëri të detyruar, skllavëri të vullnetshme. Të gjitha krijesat janë skllave të Zotit, në mënyrën e parë: “E Zotit është toka e gjithçka përmban” (Ps 24,1); demonët e të dënuarit, në mënyrën e dytë; të drejtët e shenjtorët, në të tretën. Skllavëria vullnetare është më e përkryera e më e lumnueshmja për Zotin, që shikon zemrën, që pyet zemrën, e që quhet Zoti i zemrës e i vullnetit ... sepse me këtë skllavëri zgjidhet Zoti dhe shërbimi i tij mbi të gjitha sendet, edhe kur natyra nuk e kërkon.








All the contents on this site are copyrighted ©.