2014-10-02 10:53:07

Papa, emigrantëve të mbijetuar në Lampeduzë: evropianët duhet të hapin portën e zemrës


Dje pasdite, nga ora 16.30 në orën 17.00, në një dhomë pranë Sallës së audiencave të përgjithshme “Pali VI”, Papa Françesku priti një delegacion emigrantësh të mbijetuar nga mbytja e barkës, me të cilën kishin marrë rrugën për në Itali, më 3 tetor 2013. Në grupin, që u takua me Atin e Shenjtë, ishin edhe disa familjarë të të mbyturve, që – po e kujtojmë - arritën shifrën 368 vetë.
37 emigrantët e delegacionit, të gjithë eritreas, ardhur në Romë nga vende të ndryshme të Evropës, ku jetojnë tashmë, ndodhen në Itali pikërisht për të përkujtuar 1-vjetorin e ngjarjes së tmerrshme, e cila nuk mund të mos u çojë ndërmend shqiptarëve Tragjedinë e Otrantos, nëse jo për tjetër, për ngjashmërinë. Papa Françesku iu drejtua i mallëngjyer të pranishmëve, me fjalët:
“Mezi ju flas, sepse nuk di çfarë t’ju them. Ndjej gjëra që s’mund të tregohen, sepse s’ka fjalë për të treguar sa keni vuajtur. Kjo mund të kundrohet vetëm në heshtje, me lot për faqe, duke kërkuar rrugën për t’ju qëndruar afër”.
Ati i Shenjtë u bëri thirrje më pas evropianëve, që të hapin portat e zemrës para këtyre njerëzve, që ikin nga vende në luftë e në gjendje të vështirë ekonomike:
“Jeta e personave, të cilëve u duhet të emigrojnë, është e rëndë e, për ata që arrijnë më në fund në ndonjë port, i cili duket i sigurtë, dalin vështirësi të mëdha, porta të mbyllura, shpesh nuk dinë ku të shkojnë. Por ka shumë njerëz, këtu në Itali, që e mbajnë zemrën hapur për ju. Porta e zemrës është më e rëndësishme në ato çaste! U kërkoj të gjithë burrave e grave të Evropës t’i hapin portat e zemrës”.
Njëri nga refugjatët i kërkoi Atit të Shenjtë mbështetje e përkrahje, sidomos për identifikimin e kufomave. Një tjetër i foli Papës në gjuhën e vet, një tjetër akoma e falenderoi për ndihmën, që u jep emigrantëve dhe refugjatëve. E Ati i Shenjtë u tha:
“Jam afër jush, lutem për ju, lutem për ato dyer të mbyllura, që të hapen. E gjithçka imja është juaja. Dua ta ndjeni këtë mikpritje, që nuk është vetëm imja, por e shumë njerëzve, që ju duan. Mos dyshoni, ne jemi pranë jush”.
Papës iu dhurua një skulpturë hekuri, që pasqyron një shishe në det, e cila ka brenda një familje. Delegacioni u formua nga Komiteti “3 tetori”, i kryesuar nga Tareke Brhane e shoqërohej dje nga Lëmoshtari papnor, imzot Konrad Krajewski e nga ish-kryetari i Qendrës “Astalli” të jezuitëve, atë Giovanni Lamanna.
Këto ditë është paraqitur një projektligj për ta caktuar 3 tetorin si “Dita e kujtimit të viktimave të detit”. Disa nga të pranishmit kanë bërë, me këtë rast, provën e ADN-së për njohjen e disa prej kufomave, akoma të paidentifikuara.








All the contents on this site are copyrighted ©.