Përvjetori i‘Hylli i Dritës’, revistës së françeskanëve shqiptarë
Revista zëmadhe e françeskanëve shqiptarë ‘Hylli i Dritës’, shënon sot përvjetorin
e botimit. Shfletojmë kalendarin, për të përkujtuar daljen e numrit të parë më 1 tetor
1913 të revistës së njohur të françeskanëve shqiptarë "Hylli i Dritës" - pasqyrë e
lavdishme, por jo më pak tragjike, e historisë së Kombit Shqiptar, për lirinë e të
cilit u përpoqën autorët e saj françeskanë e jo, duke shkruar sa me bojë, aq me jetë
e deri edhe gjak.. Numri i parë i revistës ‘Hylli i Dritës’u botua më 1
tetor 1913, për t'u ndëprerë menjëherë, sepse doli haptas në mbrojtje të lirisë e
të drejtave kombëtare të shqiptarëve, seriozisht të kërcënuara një vit pas shpallje
së pavarësisë e para fillimit të Luftës I Botërore.
"E tuj kenë se me të
hîm t' ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë
filloi me ague e bardha dritë e Lirisë, e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: "Hylli
i Dritës", përsè âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i
Dritës me fërfllim t'ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit,
errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja
jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ
të mira kanë me iu reshë Shqipënisë" (H.D. I. 1913, 4-8). (Pater Gjergji).
Revista
‘Hylli i Dritës’rifilloi të botohej në maj të vitit 1921, për të heshtuar
rishtas nga nëntori i 1944-tës deri në nëntor të 1993-shit. Nga 1993 u duk përsëri
nën drejtimin e njërit nga fretërit e paktë që kishin shpëtuar gjallë nga persekutimi:
Atë Zef Pllumit. Shumë shpejt u ngrit në rang të lartë që kishte pasur dikur ajo dhe
revista ‘Leka’ e etërve jezuitë. Por po aq shpejt iu desht edhe të mbyllej
sërisht. Në këtë periudhë të pas komunizmit, ‘Hylli i Dritës’ u botua deri ne
vitin 1997 kur iu deshtë të mbyllej sërish. Pas kësaj ndërprerje të re, rifilloi përsëri
të botohet në vitin 2006, gjithnjë nën drejtimin e Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë”
të Shqipërisë por kësaj radhe nën kujdesin e prof. Ardian Ndrecës.