2014-10-01 14:40:16

Patriarku Sako, myslimanëve: dënojeni ekstremizmin e dhunshëm


“Ne shpresojmë që ju ta shprehni hapur refuzimin dhe dënimin tuaj kundër ekstremizmit fetar të dhunshëm, sepse ai e shtrembëron fenë”. Kjo është thirrja e Patriarkut të Babilonisë së kaldeasve, Louis Raphael Sako, në mesazhin, me të cilin ai u uron myslimanëve irakianë festën e Eid Al-Adha, apo të Kurban Bajramit, e cila, sipas vendeve, kremtohet nga 2 deri më 7 tetor.
Kreu i Kishës kaldease i lutet Zotit t’i mbrojë myslimanët e ta ruajë vendin nga çdo e keqe. “Ne, të krishterët irakianë – lexohet në tekstin e mesazhit – jemi pjesë thelbësore e Irakut, duam të jetojmë me ju si shokë e të punojmë së bashku si një skuadër për të mirën e vendit e të popullit tonë. Shteti Islamik (IS) na ka përzënë nga qytetet tona e madje, edhe në Bagdad, ushtrohet presion kundër nesh, por ne ju themi se ju duam fort, sepse Jezu Krishti na ka urdhëruar t’i duam të gjithë. Ne besojmë se jo të gjithë myslimanët i miratojnë veprimet e Shtetit Islamik”.
Patriarku kujton më pas figurën e Mohammed Al-Asali, profesorit mysliman të Mosulit, vrarë nga xhihadistët, sepse kundërshtoi largimin e të krishterëve nga vendi. Në thirrjen e tij, imzot Sako e fton qeverinë qendrore irakiane të bashkëpunojë me atë të rajonit autonom të Kurdistanit për të çliruar Mosulin, qytetet e Pllajës së Ninives dhe qytetet e tjera, në mënyrë që t’u japin mundësi një milion e gjysëm refugjatëve irakianë të kthehen në shtëpitë e tyre për dimër.








All the contents on this site are copyrighted ©.