2014-09-29 17:42:51

Radio Vatikani. Kard. Baldisseri: “Jetoni në udhët dixhitale”


Komunikimi shoqëror “ka dobi me rëndësi të dorës së parë për Kishën”, prandaj duhet mbështetur e mbrojtur. Pohimin e bëri kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, i cili udhëhoqi meshën në selinë e Radio Vatikanit, në ditën e festës së Shën Gabrielit Kryeengjëll, pajtor i Radios.
Shkoni e jetoni “në rrugët dixhitale” të botës bashkëkohore. E jini si engjëjt, misioni i të cilëve është të kumtojnë gjithmonë e në çdo mënyrë mesazhin e Hyjit. Kardinali Baldisseri – në homelinë e meshës së kremtuar në Kapelën e Lajmërimit të Zojës – nuk lë pa kujtuar vlerën e veçantë që ka arti i komunikimit, kur ushtrohet në Radion e Papës. Të informosh e të përçosh Ungjillin janë, në këtë rast, dy fytyrat e të njëjtit profesion, domethënë: janë diçka më shumë në krahasim me detyrimet profesionale që kanë gazetarët dhe punëtorët e mjeteve të tjera të komunikimit, të cilët gjithashtu Papa Françesku i takoi menjëherë pasi u zgjodh dhe i ftoi t’u shërbejnë, në punën e tyre, tri vlerave të larta:
“Puna juaj kërkon studim, ndjeshmëri e përvojë, sikurse edhe shumë profesione të tjera, por kërkon edhe një vëmendje të veçantë ndaj të vërtetës, mirësisë e bukurisë. Kjo na bën të jemi veçanërisht afër, sepse Kisha ekziston për të komunikuar pikërisht këtë: të vërtetën, mirësinë, bukurinë, të bëra njeri në Krishtin. Duhet të duket qartë – thotë Papa – se të gjithë jemi të thirrur jo të komunikojmë vetveten, por këtë treshe ekzistenciale, të formuar nga e vërteta, e mira dhe e bukura. Këto janë fjalët e Papës”.
Kisha, “përçuese në histori” e mesazhit të Krishtit, i cili është vetë “përçuesi i përsosur i Atit” – pohon kardinali Baldisseri, duke cituar dokumentin Redemptoris Missio – duhet të njohë mirë “kulturën e re, që lind jo aq nga përmbajtja e mesazheve, por nga fakti se ekzistojnë mënyra të reja komunikimi, gjuhë të reja, teknika të reja, gjendje të reja psikologjike”:

Mundësia për të komunikuar me mënyra të jera e më të përhapura është pasuri për mbarë njerëzimin dhe, si e tillë, duhet mbështetur e mbrojtur. Sa më të forta të jenë mjetet e komunikimit, aq më e fortë duhet të jetë edhe vetëdija etike e atyre që punojnë në to dhe e atyre që i përdorin. Është e rëndësishme që komunikimi shoqëror të ekzistojë e të zhvillohet në kornizën e pasurive me rëndësi të dorës së parë për të ardhmen e njerëzimit e të Kishës”.
Kardinali Baldisseri, i cili e filloi homelinë duke falënderuar Radio Vatikanin për shërbimin që kryen dhe duke e uruar të punojë duke u mbështetur tek e vërteta, tek respekti i lirisë dhe drejtësisë, e mbylli përsiatjen e vet me një porosi konkrete e shpirtërore:
“Të shkojmë e të jetojmë në udhët dixhitale të botës bashkëkohore, me shenjën e të vërtetës e të dashurisë, për ta bërë Krishtin zemrën e botës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.