Papa: Satani i paraqet gjërat si të mira, por synon ta shkatërrojë njerëzimin
Satani i paraqet gjërat si të ishin të mira, por qëllimi i tij është të shkatërrojë
njeriun, edhe me arsyetime “humanistike”. Engjëjt luftojnë kundër djallit e na mbrojnë.
Kjo qe, me pak fjalë, homelia e Papës Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë
e Shën Martës. Kujtojmë se sot kremtohet festa e Shenjtërve Kryeengjëj, Mikeli, Gabrieli
e Rafaeli.
Leximet e ditës na paraqesin figura shumë të forta: pamjen e lavdisë
së Hyjit, siç e tregon profeti Daniel, me Birin e Njeriut, Jezu Krishtin, para Atit;
luftën e kryeengjëllit Mikel dhe të engjëjve të tij kundër “dragoit të madh, gjarprit
të lashtë, atij që quhet djall” dhe “bën për vete të gjithë tokën e banuar” por mundet,
siç pohon Apokalipsi; dhe Ungjilli ku Jezusi i thotë Natanaelit: “Do të shihni qiellin
e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut”. Papa
Françesku flet për “luftën kundër djallit e Hyjit”:
“Por kjo luftë shpërthen
pasi Satani orvatet të rrënojë gruan që është duke lindur birin. Satani gjithmonë
përpiqet ta shkatërrojë njeriun: atë njeri që Danieli e shikonte aty, në lavdi, dhe
për të cilin Jezusi i thoshte Natanaelit se do të kthehej me lavdi. Që nga fillimi
Bibla na flet për këtë: për dëshirën e Satanit për të shkatërruar. Ndoshta për shkak
të smirës. Në psalmin 8 lexojmë: ‘E bëre njeriun më të lartë se engjëjt’,
dhe inteligjenca e lartë e engjëllit nuk mundi ta mbartte mbi shpatulla këtë poshtërim,
që një krijesë më e ulët të bëhej më e lartë, prandaj u përpoq ta shkatërronte”.
Satani,
pra, orvatet ta shkatërrojë njerëzimin e të gjithë ne:
“Shumë projekte,
përveç mëkateve tona, pra shumë, shumë projekte për çnjerëzimin e njeriut, janë vepër
e tij, thjesht sepse e urren njeriun. Është tinëzar: e thotë Bibla në faqen e parë:
është tinëzar. I paraqet gjërat a thua se janë të mira, por pikësynimi i i tij është
rrënimi. E engjëjt na mbrojnë. Mbrojnë njeriun dhe mbrojnë Njeriun-Hyj, njeriun që
është më i lartë, Jezu Krishtin, që është përsosmëria e njerëzimit, më i përsosuri.
Për këtë arsye Kisha i nderon engjëjt, sepse ata do të jenë në lavdinë e Hyjit – janë
në lavdinë e Hyjit – për shkak se mbrojnë misterin e madh e të fshehur të Hyjit, domethënë
se Fjala erdhi në mish”.
“Detyra e popullit të Hyjit – pohoi Papa – është
të ruajë brenda njeriun: njeriun Jezus” sepse “ai është njeriu që u jep jetë të gjithë
njerëzve”. Satani, përkundrazi, me projektet e veta rrënimtare, shpik “shpjegime humanistike
që shkojnë drejtpërdrejt kundër njeriut, kundër njerëzimit e kundër Hyjit”:
“Lufta
është realitet i përditshëm, në jetën e krishterë: në zemrën tonë, në jetën tonë,
në familjen tonë, në popullin tonë, në Kishat tona... Nëse nuk luftojmë, do të shpartallohemi.
Por Zoti ua ka dhënë këtë mjeshtëri kryesisht engjëjve: të luftojnë e të fitojnë.
E kënga përmbyllëse e Zbulesës, pas kësaj lufte, është shumë e bukur: ‘Tani u përmbush
shpëtimi, forca e Mbretëria e Hyjit tonë dhe fuqia e Krishtit të tij, sepse u plandos
paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste para Hyjit tonë ditë e natë’”.
Në
fund, Papa bëri thirrje t’i lusim kryeengjëjt Mikel, Gabriel e Rafael e “të themi
lutjen e lashtë, por shumë të bukur, drejtuar kryeengjëllit Mikel, që të vijojë të
luftojë, për të mbrojtur misterin më të madh të njerëzimit: që Fjala u bë Njeri, vdiq
e u ringjall. Ky është thesari ynë. Të lutemi që ai të vijojë të luftojë për ta ruajtur”.