Papa Françesku takohet me të moshuarit e gjyshërit
I këndshëm, takimi i sotëm i Papës Françesku me të moshuarit e gjyshërit nga e gjithë
bota. Ati i Shenjtë iu përgjigj pyetjeve, në praninë e Papës së nderit, Benedikti
XVI, i ftuar prej tij. Më pas, kremtimi i meshës në Sheshin e Shën Pjetrit, së bashku
me disa meshtarë të moshuar, të zgjedhur nga Këshilli Papnor për Familjen, për të
përfunduar me Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Ky takim, me
titull “Bekimi për një jetë të gjatë”, u organizua pikërisht nga dikasteri vatikanas
për familjen. Kreu i dikasterit, imzot Vincenzo Paglia, shpjegon se dita bazohet në
idenë, që i sheh të moshuarit jo si njerëz të mbaruar, por si pasuri për shoqërinë,
si bartës të trashëgimisë kulturore të një vendi. Imzot Paglia vë në dukje se akoma
nuk është reflektuar sa duhet mbi këtë temë, e cila as që merret parasysh nga politikat
ekonomike e kulturore të një vendi. Kreu i Këshillit Papnor për Familjen kërkon që
të moshuarit të shihen si subjekte të një perspektive të re për jetën. Prandaj, duhet
rimenduar ç’duhet bërë me ta, si duhet përdorur impenjimi i tyre në botë e në Kishë.
E imzot Paglia jep disa shembuj. Përveç detyrave tradicionale, si transmetimi
i fesë e ndihma për rritjen e nipave e të mbesave, të moshuarit kanë më shumë kohë
për t’u lutur e për të kumtuar Ungjillin, duke i dhënë jehonë kështu punës së shën
Anës, profete në Shkrimin Shenjt. Gjithashtu, të moshuarit mund të transmetojnë atë
kulturë, që e sheh dobësimin e jetës jo si përjetim i tragjedisë së fundit, por si
dëshmi shprese për jetën e përtejme.