Sot, e gjithë Kisha u lut për Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme të Sinodit
të Ipeshkvijve, që do të mbahet nga 5 deri më 19 tetor, me temën: “Sfidat baritore
për familjen, në kuadrin e ungjillëzimit”. Çdo famulli, çdo institut murgeshash, çdo
bashkësi rregulltarësh, çdo shoqatë e lëvizje u lut gjatë meshës, por edhe në takime
të veçanta e kështu do të bëjnë deri në fillimin e Sinodit e gjatë punimeve. Në Romë,
çdo ditë do të ketë lutje në kapelën e Zojës – Salus Populi Romani, në Bazilikën e
Shën Marisë së Madhe, ku Papa Françesku shkon zakonisht para e pas udhëtimeve të tij
apostolike, siç ndodhi edhe në rastin e Shqipërisë. Besimtarët ftohen të luten e sidomos
të thonë Rruzaren për mbarëvajtjen e punimeve sinodale.