Dje, Papa Françesku kremtoi meshën për anëtarët e Trupit të Xhandarmërisë së Vatikanit,
në orën 7.00, në kapelën e Governatoratit. Pak pas mesditës, në Sallën Klementine
të Vatikanit, priti pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Komitetit Papnor
për Kongreset Eukaristike Ndërkombëtare. Ndërkaq, në orën 17,00, në kishën e Jezusit
në Romë, kremtoi Lutjet Mbrëmësore e “Te Deum”-in e falenderimit, drejtuar Zotit për
200-vjetorin e rithemelimit të Shoqërisë së Jezusit. Kujtojmë se Papa Piu VII, me
bulën “Sollicitudo omnium ecclesiarum”, në vitin 1814, i lejoi edhe një herë jezuitët
të vepronin në Kishë me të drejta të plota, pasi Papa Klementi XIV, në vitin 1773,
ia kishte hequr urdhërit këtë të drejtë. Përkujtimi i kësaj ngjarjeje të rëndësishme
për jezuitët, është kremtuar më 7 gusht.