2014-09-26 13:46:51

Papa Françesku, fokolarinëve: takojeni me guxim njerëzimin e plagosur


Sot në mesditë, Papa Françesku u takua me anëtarët e Lëvizjes së Fokolarëve, të cilët janë mbledhur në asamblenë e tyre të përgjithshme në Castelgandolfo, që nga 1 shtatori. Komunikojeni me bujari dashurinë e Zotit e gëzimin e Ungjillit, që bota të ecë gjithnjë e më përpara drejt bashkimit, u tha Ati i Shenjtë pjesëmarrësve nga 137 vende të botës. Fara e vogël, hedhur në tokë nga themeluesja Chiara Lubich – pas vdekjes, pasuar nga Maria Voce, e cila u konfirmua në krye të Lëvizjes edhe për gjashtë vjet të tjera – i dha jetë një peme të madhe, që tani i ka degët kudo në familjen e krishterë e, edhe ndër ndjekësit e feve të tjera. Kjo është vepër e Shpirtit Shenjt, nënvizoi Papa. Karizma e bashkimit e fokolarinëve i shërben sot epokës së re të ungjillëzimit:RealAudioMP3
“Pesëdhjetë vjet pas Koncilit II të Vatikanit, Kisha është e thirrur të përshkojë një etapë të re ungjillëzimi, duke dëshmuar dashurinë e Zotit për çdo njeri, duke filluar nga më të varfërit e më të mënjanuarit, që udha e njerëzimit drejt bashkimit të mbruhet me shpresë, vëllazërim e gëzim”.
Papa Françesku kujtoi me dashuri e mirënjohje pikërisht themeluesen e fokolarinëve, Chiara Lubich, e u la të pranishmëve tri fjalë për punën e tyre të ardhshme: të kundrojnë Hyjin, të dalin për të takuar njerëzit e nevojat e tyre dhe të formojnë brezat e rinj. Sot, nënvizoi Ati i Shenjtë duke komentuar fjalën e parë, kemi nevojë më shumë se kurrë të kundrojmë veprën e Zotit e mrekullitë e dashurisë së Tij:
“Të kundrojmë do të thotë, përveç të tjerash, të jetojmë në shoqërinë e vëllezërve e motrave, të ndajmë me ta Bukën e bashkimit e të vëllazërimit, të kapërcejmë së bashku pragun (shih Gjn 10,9), që na bën të hyjmë në gjirin e Atit (shih Gjn 1,18), sepse ‘kundrimi, që i lë jashtë të tjerët, është mashtrim’ (Thirrja apostolike “Evangelii gaudium”, 281), është narcisizëm”.
Fjala e dytë e Papës - “dalja”, të cilën e përmend gjithnjë - do të thotë t’u komunikosh të gjithëve e me bujari dashurinë e Zotit, madje, duke përdorur krijimtarinë, sepse pa të nuk shkohet përpara, theksoi Françesku:
“Për ta realizuar këtë, duhet të bëhemi ekspertë të atij arti, që quhet ‘dialog’ e që nuk mësohet lehtë. Nuk mund të kënaqemi me masa gjysmake, nuk mund të vonohemi, por, me ndihmën e Zotit, të shikojmë lart e ta zgjerojmë horizontin!”.
Duhet dalë me guxim për të shkuar drejt vëllezërve në nevojë, aty ku ndjehen më shumë plagët e shoqërisë e ku kultura e kohës paraqet çështje, që kërkojnë përgjigje:
“Të dhemb zemra para një Kishe, para varrëve të hapura të njerëzimit, me kaq plagë morale, jetësore, madje, edhe me plagë lufte… Të dhemb shpirti kur të krishterët fillojnë e bëjnë bizantinizma filozofike, teologjike, shpirtërore… nuk shkon. Është bizantinizëm! Sot nuk e kemi të drejtën e reflektimit bizantinist. Duhet të dalim! Sepse – siç e kam thënë edhe herë të tjera – Kisha është spital fushor: e kur shkon në një spital fushor, puna e parë është mjekimi i plagëve e jo analiza për dozën e yndyrnave në gjak… Ajo bëhet më pas… Është e qartë, apo jo?”.
Së fundi, fjala e tretë: shkollimi, formimi. Pa formuar brezat e rinj, nënvizoi Papa Françesku, është e kotë të mendohet realizimi i një plani serioz e afatgjatë, në shërbim të një humaniteti të ri. Duhen formuar burra e gra, me mendësi të re, burra e gra me shpirt, me zemër, me mendësinë e Jezusit e shi për këtë, të aftë t’i njohin e t’i interpretojnë nevojat, shqetësimet e shpresat, që zënë vend në zemrën e çdo njeriu.








All the contents on this site are copyrighted ©.