2014-09-25 14:48:37

Papa: të mos jemi të krishterë mburravecë, si flluskë sapuni


Të largohemi nga mburrja e kotësia, që na e zbeh të vërtetën e na bën të fryhemi si flluskë sapuni. Kjo, tema kryesore e predikimit të Papës Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Ati i Shenjtë, duke marrë shkas nga Libri i Kishtarit, leximi i parë i liturgjisë së sotme, nënvizoi se edhe kur bëjnë mirë, të krishterët nuk duhet “të duken”. RealAudioMP3
Jezusi, kujtoi Papa, i kritikonte shumë ata, që mburreshin. Dijetarëve të ligjit u thoshte të mos ecnin shesheve, me veshje luksoze, si të ishin princa. Kur të luteni, thotë Zoti, mos e bëj vetëm e vetëm që të shohin të tjerët, por shko në dhomën tënde e lutu në fshehtësi. E njëjta gjë vlen edhe për ata, që ndihmojnë të varfërit. Jezusi i këshillon të mos bëjnë bujë sa herë u hedhin nevojtarëve ndonjë kacidhe, por ta bëjnë këtë pa u dukur, sepse Ati Qiellor sheh edhe në fshehtësi:
“Por mburraveci të përgjigjet: ‘Shiko këtu, unë po e jap këtë çek për veprat e Kishës’ e, ta tregon çekun; pastaj, nga ana tjetër, e mashtron Kishën. Këtë bën mburraveci: jeton për t’u dukur. ‘Kur agjëron – u thotë Zoti këtyre – të lutem mos u bëj melankolik, si i trishtuar, sepse të gjithë e kuptojnë se po agjëron; jo, agjëro me gëzim; bëj pendesë me gëzim, që askush të mos e kuptojë’. Por, kështu është kotësia: jetë sa për t’u dukur, që të shohin të tjerët”.
Të krishterët, që jetojnë kështu, vijoi Papa Françesku, sa për t’u dukur e për t’u mburrur, duken si palloi, që hap bishtin. Dikush thotë “unë jam i krishterë, jam kushëri me filan prift, me filan murgeshë, me filan ipeshkëv…familja ime është e krishterë”. Por, mburren për këtë! E Papa pyeti: “Pa më thuaj, si është jeta jote me Zotin? Si lutesh? Si u bën mirë të tjerëve? A i viziton të sëmurët? Thuaj të vërtetën”. Jezusi na thotë ta ndërtojmë shtëpinë, pra, jetën tonë të krishterë, mbi shkëmb, mbi të vërtetën, ndërsa mburravecët e ndërtojnë shtëpinë mbi rërë. Kur ajo bie, edhe jeta e krishterë lëkundet, pasi njerëz të tillë nuk janë në gjendje t’u rezitojnë tundimeve:
“Sa të krishterë jetojnë për t’u dukur. Jeta e tyre duket si flluskë sapuni. E bukur, flluska e sapunit! I ka të gjitha ngjyrat! Por zgjat një sekondë e pastaj? Kur shohim ndonjë varrim, të na shkojë ndërmend se këto gjëra janë kotësi, sepse në të vërtetë, ne do të kthehemi në tokën nga kemi ardhur, siç thoshte Shërbëtori i Zotit Pali VI. Na pret dheu, kjo është e vërteta përfundimtare. Ndërkaq, çfarë bëj: mburrem, apo përvesh mëngët? A bëj mirë? A e kërkoj Zotin? A lutem? Këto janë gjërat e rëndësishme. Ndërsa mburrja është gënjeshtare, imagjinare, gënjen vetveten, e gënjen mburravecin, i cili, në fillim, shtiret, por pastaj e beson edhe vetë gënjeshtrën e vet. E beson vërtet. I shkreti!”.
Kjo ndodhi me Herodin, siç tregon Ungjilli i sotëm, i cili e pyeste me ngul veten, kush ishte Jezusi. Kotësia ta heq qetësinë shpirtërore, theksoi Papa. Është njëlloj si njerëzit, që lyhen pak si tepër për t’u zbukuruar e pastaj, kanë frikë të dalin në shi, sepse u fshihet buzëkuqi. Vetëm e vërteta na e jep paqen, nënvizoi Ati i Shenjtë, e jo kotësia e mburrja. Papa kujtoi tundimet e djallit për Jezusin në shkretëtirë. Sa bukur ia paraqiti, tha Françesku: “Hajde me mua, të japim shfaqje; ti hidhu, engjëjt të shpëtojnë, e të gjithë do të besojnë në Ty”. Kotësia, mburrja është sëmundje shpirtërore shumë e rëndë e aspak e lehtë për t’u zbuluar:
“Etërit egjiptianë në shkretëtirë thoshin se kotësia është tundim, kundër të cilit duhet të luftojmë gjithë jetën, sepse kthehet përherë për të na larguar nga e vërteta. E që të kuptohej kjo thoshin: është si qepa, ti e merr e fillon ta qërosh. Kështu edhe me kotësinë, hiq një shtresë sot, një tjetër nesër e, gjithë jetën qëron shtresat e kotësisë si qepën, por era të mbetet në dorë ama. T’i kërkojmë Zotit hirin për të mos qenë mburravecë, por të vërtetë, me të vërtetën e realitetit e të Ungjillit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.