2014-09-25 15:36:42

Kardinali Parolin kujton vizitën e Papës në Shqipëri: fetë të dënojnë përdorimin e fesë për justifikimin e dhunës


Shqipëria e vizita e Papës më 21 shtator, modeli shqiptar i bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve, vihet në dukje në OKB nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Në debatin publik të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me temë “Kërcënime për paqen dhe sigurinë, shkaktuar nga terrorizmi ndërkombëtar”, prelati përmendi fjalët që Papa Françesku tha në Tiranë: “Askush të mos mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa projekton e kryen akte dhune e abuzimi! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprime kundër dinjitetit njerëzor e kundër të drejtave themelore të çdo burri e gruaje, sidomos, kundër së drejtës për jetën e kundër së drejtës së secilit për lirinë e fesë”.
Kardinali vuri në dukje përdorimin në rritje të terrorit në botë, duke i bërë thirrje OKB-së, që ashtu si në lindjen e saj, në një epokë nihiliste për dinjitetin e njeriut, të mobilizojë kombet, në mënyrë që ato të marrin përsipër pa hezitim përgjegjësinë e tyre kryesore: mbrojtjen e njerëzve, të kërcënuar nga dhuna e nga sulmi i drejtpërdrejtë kundër dinjitetit të tyre.
Duke kujtuar reagimin e shën Gjon Palit II, pas atentateve të 11 shtatorit, kardinali Parolin nënvizoi se dhunës nuk i duhet përgjigjur me dhunë. Çdo fajtor duhet identifikuar saktë, sepse përgjegjësi penale është individuale e nuk mund të shtrihet mbi një komb të tërë, mbi etninë a mbi fenë, së cilës i përkasin terroristët.
Sekretari i Shtetit i Vatikanit kërkoi të gjenden rrënjët e problemeve, që ushqejnë terrorizmin ndërkombëtar. Në to është ndërthurur një aspekt i rëndësishëm shoqëroro-kulturor. E kardinali dha disa shembuj. Të rinjtë e varfër, që shkojnë jashtë vendit të tyre për një jetë më të mirë, shpesh zhgënjëhen nga mungesa e integrimit, ose nga vlerat që gjejnë në shoqërinë pritëse. Kjo i shtyn drejt organizatave terroriste, nëse urrejtja e mënjanimi radikalizohen tej mase. Prandaj – e ky është mendimi i Selisë së Shenjtë – qeveritë duhet të impenjohen për t’i zgjidhur problemet e integrimit të emigrantëve, pa lejuar instrumentalizimin e tyre e të fesë së tyre për justifikimin e dhunës.







All the contents on this site are copyrighted ©.