Papa: të mos e ndërlikojmë Ungjillin, ta dëgjojmë e ta jetojmë
Jeta e krishterë është “e thjeshtë”: duhet dëgjuar Fjala e Zotit dhe duhet vënë në
praktikë, pa u kufizuar në “leximin” e Ungjillit, por duke e pyetur veten në ç’mënyrë
fjalët e tij i flasin jetës sonë. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit,
në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan. Fjalët e Jezusit,
nënvizoi Papa në predikimin e tij, u dukeshin njerëzve krejtësisht të reja e të thëna
me autoritet. Ata e ndjenin forcën shëlbuese, që shpallnin, prandaj e ndiqnin Jezusin.
Por, kishte edhe nga ata, që e ndiqnin “për leverdi”, pa zemër të sinqertë, ose thjesht
nga dëshira “për të qenë më të mirë”. Në këto dymijë vjet krishterim, vuri në dukje
Ati i Shenjtë, gjendja nuk ka ndryshuar shumë. Edhe sot, shumë e dëgjojnë Jezusin
si ata nëntë të gërbulurit e Ungjillit, të cilët lumturohen kur shërohen prej Tij,
por e harrojnë Atë, që u dhuroi shëndetin: “Por Jezusi vazhdonte t’u fliste
njerëzve dhe t’i donte, e donte turmën deri në atë pikë sa thotë ‘këta që më ndjekin,
kjo turmë e stërmadhe, janë nëna dhe vëllezërit e mi, …këta janë’. E shpjegon: ‘ata,
që e dëgjojnë Fjalën e Zotit, e zbatojnë në praktikë’. Këto janë dy kushtet për ta
ndjekur Jezusin: të dëgjojmë Fjalën e Zotit dhe ta zbatojmë në praktikë. Kjo është
jeta e krishterë, asgjë më shumë. Krejt e thjeshtë. Ndoshta, e kemi bërë ne pak si
të vështirë, me kaq shumë shpjegime, që s’i kupton askush, por jeta e krishterë është
kështu: dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe zbatimi i saj në praktikë”. Ja përse,
siç thuhet në pjesën nga Ungjilli i shën Lukës, Jezusi i përgjigjet kështu të afërmve,
që po e kërkonin: “Nëna e vëllezër të mi janë ata, që e dëgjojnë Fjalën e Zotit dhe
e vënë në jetë”. E për të dëgjuar Fjalën e Zotit, Fjalën e Jezusit, vijoi Papa Françesku,
mjafton të hapim Biblën, Ungjillin. Por këto faqe, theksoi, nuk duhen lexuar, duhen
dëgjuar. “Të dëgjosh Fjalën e Zotit – këshilloi Ati i Shenjtë – do të thotë të lexosh
Ungjillin e të thuash: ‘Po mua, ç’më thotë kjo pjesë, ç’i thotë zemrës sime?’ E jeta
juaj ndryshon”: “Sa herë që e bëjmë këtë – hapim Ungjillin e lexojmë një pjesë
e pyesim: ‘Me këtë, a më flet Zoti, a më thotë diçka mua? E çfarë më thotë?’ – kjo
do të thotë ta dëgjojmë Fjalën e Zotit, ta dëgjojmë me veshë e ta dëgjojmë me zemër.
T’ia hapim zemrën Fjalës së Zotit. Armiqtë e Jezusit e dëgjonin Fjalën e Tij, por
i qëndronin afër, duke u përpjekur ta kapnin në gabim, në mënyrë që t’i binte autoriteti.
Por kurrë nuk e pyesnin veten: ‘Çfarë më thotë Zoti me këtë Fjalë?’ E Zoti nuk flet
vetëm në përgjithësi: po u flet të gjithëve, por i flet edhe secilit prej nesh. Ungjilli
është shkruar për secilin prej nesh”. Sigurisht, vijoi Papa Françesku,
ta vemë në jetë atë që dëgjojmë nuk është e lehtë, sepse është shumë më e lehtë të
jetojmë pa u shqetësuar nga kërkesat, që mban me vete Fjala e Zotit. Rrugë konkrete
për ta bërë këtë, kujtoi Ati i Shenjtë, janë ndjekja e Urdhërimeve të Tënzot dhe e
Lumnive të Ungjillit. Duke u mbështetur gjithnjë tek ndihma e Hyjit, edhe kur zemra
jonë dëgjon, por bën sikur nuk kupton. Zoti është i mëshirshëm e di të presë: “Jezusi
i pret të gjithë, edhe ata që shkojnë ta dëgjojnë Fjalën e Zotit e pastaj e tradhëtojnë.
Të mendojmë për Judën. ‘Mik’ i thotë, e në të çast kur Juda e tradhëton. Zoti e mbjell
gjithnjë Fjalën e vet, kërkon vetëm një zemër të hapur për ta dëgjuar e vullnet të
mirë për ta vënë atë në jetë. Prandaj, lutja e sotme të jetë ajo e Psalmit: ‘Më prij
o Zot në shtegun e urdhërimeve të tua’, pra, në shtegun e Fjalës tënde, që unë, nën
udhëheqjen tënde, të mësoj si ta zbatoj në praktikë”.