2014-09-22 13:07:09

Papa Françesku: Konferenca e shtypit në avion gjatë kthimit nga Shqipëria


Atë Lombardi: - I shprehim mirënjohjen tonë Atit të Shenjtë, që është me ne edhe në përfundim të një dite kaq të ngarkuar. Deshi të ishte i pranishëm për disa pyetje, por pak, lidhur me shtegtimin. E atëherë vendosëm si kriter të takimit t’u krijojmë mundësinë të pyesin, kolegëve tanë shqiptarë, që e bënë gjithë udhëtimin me ne; erdhën në Romë pikërisht për të shtegtuar me Të, e tani po kthehen edhe një herë në Romë, për ta përfunduar këtë përvojë me Të. Janë përfaqësues të tre televizioneve shqiptare. Po e nisim me zonjën Mira Tuci, e televizionit kombëtar shqiptar.RealAudioMP3

Gazetarja: - Shenjtëria Juaj, kur u nis, e kishte krijuar një mendim për shqiptarët, për Shqipërinë. Për vuajtjet e shqiptarit e tolerancën e tij. A gjetët ndonjë cilësi tjetër ndër shqiptarë, që mundët ta prekni me dorë? A janë cilësitë e duhura për ta kthyer shqiponjën në folenë e vet?

Papa Françesku: - Do të thosha se i kam ndrequr pakëz ca gjëra... këto, që po thoni ju. Por vuajtjen që pësuat ju, shqiptarët, e pashë nga afër. Atë që shqiptari është tolerant... Jo, nuk është tolerant, është vëlla. Ka aftësinë e vëllazërisë: është diçka më shumë. E kjo shikohet në mënyrën si bashkëjetohet, si bashkëpunohet ndërmjet islamikëve, ortodoksëve e katolikëve. E bashkëpunojnë si vëllezër, apo jo? E pastaj një gjë tjetër që më preku, që nga fillimi, është rinia e vendit: më thanë se është vendi më i ri në Evropë, kur e bëra këtë koment. Por, e kjo shihet mirë, kjo vëllazëri ndikon edhe mbi zhvillimin e lartë në kulturë e edhe në qeverisje.

Gazetari: - Shenjtëria Juaj, duke lëvizur nëpër Bulevardin qendror të Tiranës, pa sigurisht edhe portretet e klerikëve të martirizuar gjatë regjimit komunist, në një vend ku vetëm 25 vjet më parë vijonte të imponohej ateizmi i Shtetit. Ju emocionoi kjo pamje?

Papa Françesku: - Unë e studioj nga pak që prej dy muajsh këtë periudhë të vështirë në jetën e Shqipërisë, për ta kuptuar; e kam studiuar nga pak që prej zanafillës. Po ju keni rrënjë kulturore tejet të bukura, të forta, keni kulturë të madhe, që në zanafillë. E kam studiuar edhe periudhën, për të cilën po më flisni, e ka qenë periudhë mizore: niveli i mizorisë ka qenë i pabesueshëm. Kur i pashë ato fotografi, kujtova jo vetëm katolikët, por edhe ortodoksët, edhe islamikët…e kur mendova fjalët që u drejtoheshin: “Ti nuk duhet të besosh në Zotin”. E përgjigjja: - Unë besoj! Që përfundonte me një bum, me zhdukje. Prandaj them se të trija fetë kryesore e dëshmuan Zotin, e tani japin dëshminë e tyre për vëllazërinë.

Gazetari: - Shenjtëri, ju vizituat Shqipërinë, vend me shumicë myslimane. Por nuk duhet harruar se vizita kryhej në një çast të vështirë të situatës globale: Ju vetë keni deklaruar se Lufta III Botërore ka filluar tashmë. Mesazhi Juaj i vizitës u përket vetëm shqiptarëve, apor shkon shumë përtej?

Papa Françesku: - Jo, shkon përtej. Përtej. Shqipëria bëri një udhë paqeje, bashkëjetese e bashkëpunimi, që shkon përtej, shkon drejt vendeve të tjera, që kanë gjithashtu, rrënjë etnike të ndryshme. Ju thatë: “Është vend me shumicë myslimane”, po, por nuk është vend mysliman. Është vend evropian! Për mua kjo ishte një e papritur. Shqipëria është vend evropian, pikërisht përsa i përket kulturës, kulturës së bashkëjetesës, e edhe për kulturën historike, që ka pasur.

Gazetari: - Ju tani sapo përfunduat shtegtimin në Shqipëri, që është në Evropë. Cili do të jetë shtegtimi Juaj i ardhshëm?

Papa Françesku: - Po, gjeografia; nuk mund ta ndryshoj. Udhëtimet e ardhshme do të jenë më 25 nëntor, në Strasburg, në Këshillin e Evropës e në Parlamentin Evropian. Do t’i vizitoj që të dy. E pastaj, më 28, ndoshta, Turqia, për të qenë atje në festën e 30-tës, të Shën Andreut, me Patriarkun Bartolomeu.

Gazetarja: - Shenjtëri, e kuptuam se Ju keni për Shqipërinë një vizion paksa të ndryshëm nga ai, që kanë evropianët; ne e shikojmë Evropën gati si Bashkim Evropian. Ju zgjodhët Shqipërinë si të parin vend evropian për t’u vizituar, vend periferie, që nuk i përket Bashkimit Evropian. Ç’mund t’i thoni atyre, që ia ngulin sytë vetëm Evropës së njerëzve të pushtetshëm?

Papa Françesku: - Është një mesazh, ky shtegtimi im, është një sinjal: është sinjal, që unë dua ta jap.

Gazetarja: - Ju pamë të gjithë, besoj, duke qarë, për herë të parë. U prekët shumë, në takimin me klerin: besoj ishte çasti më prekës i gjithë shtegtimit…

Papa Françesku: - Të dëgjosh një martir duke folur për martirizimin e vet, kjo është e fortë. Besoj se të gjithë ne, që ishim aty, u prekëm: të gjithë. E këta dëshmitarë flisnin, si të ishin duke folur për dikë tjetër, me natyrshmëri, me përvujtëri. Më bëri mirë, kjo. Ju falënderoj, shumë, e darkën e mirë!







All the contents on this site are copyrighted ©.