2014-09-21 10:58:33

Tirana


Tirana – 120 metra mbi nivelin e detit, me 421.286 banorë; 763.634 në zonën metropolitane, është kryeqytet e qendër e jetës administrative, politike, ekonomike e kulturore të vendit. Është qyteti më i populluar i Shqipërisë, në qendër të një ultësire, ku bashkohen disa përrenj, për të formuar lumin Ishmi, pranë Liqenit të Farkës dhe një rezerve natyrore, që njihet me emrin “Parku i madh”, ndërsa qyteti përshkohet mes për mes nga lumi Lana.
E themeluar zyrtarisht në vitin 1614, u shpall kryeqytet në vitin 1920 nga Asambleja Kushtetuese. Tirana e sotme ka hyrë në rrugën e zhvillimit të vrullshëm ekonomik, shoqëror e urbanistik, me krijimin e sistemit monumental të parqeve, të ndërtesave, me rindërtimin e vendeve të kultit, posaçërisht atyre të krishtera, rrënuar gjatë sundimit të turkut e të diktaturës. Qyteti është seli e një sërë institucionesh publike: ka 14 universitete, kryesisht private, ndërmjet të cilave, universiteti i Tiranës (themeluar më 1957). Më 2002 u përurua i pari Universitet privat, Universiteti i New Yorkut Tirana e, ndërmjrt të tjerëve, edhe Universiteti i Zojës së Këshillit të Mirë.
Ndërmjet vendeve të kultit të krishterë, shkatërruar nga regjimi komunist më 1967 e rindërtuar, kujtojmë Kishën e Zemrës së Krishtit të etërve jezuitë dhe Katedralen ortodokse të Ringjalljes së Krishtit, përfunduar më 2012, në një vend të ndryshëm nga ai i kishës së mëparshme. Ndërtesë me trajtë rrethore, me një kupol të madhe, pasurohet nga një mori mozaikësh, që paraqesin Krishtin Pantokrator.Ndër monumentet kryesore janë edhe Xhamia e Ethem Beut, më e vjetra në kryeqytet, ndërtuar ndërmjet viteve 1789 e 1821; Kulla e Sahatit, pak më tej, Piramida, ndërtuar më 1988 si muze kushtuar diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, sot në rrënim e sipër. Përballë saj ndodhet Këmbana e Paqes, në kujtim të viteve të vështira pas-komuniste, realizuar me gëzhojat e plumbave, mbledhur nga fëmijët shqiptarë gjatë anarkisë së vitit 1997; shtatorja e Nënës Shqipëri (1972) në Varrezën e Dëshmorëve, ku janë varrosur partizanët shqiptarë të rënë gjatë Luftës II Botërore, disa biblioteka publike, muzeume e monumente kulturore.







All the contents on this site are copyrighted ©.