2014-09-21 16:01:31

Porositë e Gjon Pali II, në kujtesë


Kthehemi 21 vjet pas, për të kujtuar një shtegtim tjetër apostolik, atë të Gjon Palit II:
E Papën Shenjt po e përkujtojmë me fjalët testament që ua la shqiptarëve me rastin e vizitës historike të 25 prillit të 1993 në Shqipëri. Nga sheshi Skenderbe i Tiranës, Papa Vojtila mes tjerash u tha shqiptarëve:
“Ajo që ka ndodhur në Shqipëri, të dashur Vëllezër e Motra, nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit…. Ju sot keni fituar lirinë në një mënyrë krejt të veçantë, pa gjak. Jeni ngjitur lart mrekullisht, nga një greminë tiranie dhe vdekjeje. Kur dukej se po shuhej gati çdo motiv i arsyeshëm besimi, zbardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta. U ringjall guximi për të qëndruar, u ndez përsëri drita e shpresës.
Po kjo liri besimi fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është dhuratë për të gjithë, sepse liria fetare është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo e prek njeriun thellë, në atë cep të shenjtë dhe të padhunueshëm që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton vetëdijen e plotë të dinjitetin të vet. Një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembet asnjë çrregullimi shoqëror.
Besimi i çiltër në të vërtetë, nuk i përçan njerëzit, por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyre. Sikur na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, atëherë që të gjithë jemi vëllezër. Kështu që feja është Kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit, jep një kontribut vendimtar për vëllazërimin njerëzor. Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimeve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm e konstruktiv.
Popull Shqiptar, më pëlqen të kujtoj në këtë çast shembullin tënd në këtë drejtim. Që Tri Bashkësitë fetare kanë marrëdhënie respekti reciprok e bashkëpunimi me frymë të thellë njerëzore. Vijoni kështu, Vëllezër e Motra të dashura! Ju do të keni merita për solidaritetin dhe për paqen në Atdheun tuaj dhe në krejt zonën e shumëvuajtur të Ballkanit. Kështu, ju mund të ndërtoni një bashkim kombëtar të urtë dhe të qëndrueshëm.Kjo, Fjala e Gjon Palit II, e sot, pas 21 vjetësh, modeli i bashkëjetesës fetare të shqiptarëve i kapërcen kufijtë e Ballkanit, për t’u përhapur në mbarë botën e trazuar pikërisht nga konfliktet, nga Papa i dytë që shkel në trojet shqiptare, Françesku!







All the contents on this site are copyrighted ©.