2014-09-21 10:59:09

Kardinali Mikel Koliqi


Nuk është e thjeshtë të përmbledhësh me pak fjalë jetën e kardinalit Koliqi, një nga figurat më poliedrike në historinë e Shqipërisë.
Kardinali Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollen fillore e nisi në Shkodër dhe e mbaroi në vitin 1911 në kolegjin "Arici" te Eterve Jezuit në Breshia të Italisë. Në klasë me të ishte edhe papa i ardhshëm, Pali VI.
Edhe gjimnazin e kreu ne Itali pjesërisht në Monxa, në Bergamo dhe në Bari.
Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Don Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles". Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.
Ati i Shenjtë Gjon Pali II e emëroi prelat nderi në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994.
Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike, kardinali Koliqi u nderua së pari me titullin "Pishtar i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.
U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë, për të cilën mund e duhet të shkruhen shumë libra; një jetë që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë të jashtzakonshme, së cilës deri tani i është kushtuar vetëm libri "Mikel Koliqi", shkruar nga kushëriri i tij, Gjon Simoni.







All the contents on this site are copyrighted ©.