Imzot Mirdita për gazetën “Osservatore Romano”: Papa Françesku gjen një vend që dëshiron
të dalë nga tranzicioni i gjatë
“Besoj se vuajtjet dhe aspiratat e njerëzve tanë janë në themel të vendimit të Papës
për të vizituar vendin tonë”. Kështu shprehet Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkvi metropolit
i Tiranës, që përgatitet të pretë nesër Atin e Shenjtë në kryeqytetin e Shqipërisë,
në një intervistë dhënë gazetës së Selisë së Shenjtë “Osservatore Romano”. Në këtë
intervistë të gjatë, kryeipeshkvi kujton vizitën e Gjon Palit II 21 vjet më parë dhe
flet për zhvillimet e jetës kishtare e shoqërore në vend. Thekson se Papa Françesku
gëzon simpatinë dhe respektin e shqiptarëve, të cilët “admirojnë thjeshtësinë dhe
koherencën” e tij, si dhe vlerësojnë vendosmërinë me të cilën ai denoncon korrupsionin,
temë që prek një pikë të ndjeshme në jetën e njerëzve në rrethanat shqiptare. Duke
folur për bashkëjetesen ndërfetare si karakteristikë fatlume të shqiptarëve, Imzot
Mirdita thekson se “të krishterët janë (katolikë, ortodoksë e protestantë) janë qytetarë
të një Atdheu pa fe zyrtare, siç janë myslimanët dhe jobesimtarët”, prandaj, edhe
pse komuniteti mysliman është më i madhe në vend, “asnjë fe nuk ndjehet pakicë”. Vizita
e Atit të Shenjtë pritet me interes si nga Kisha, ashtu edhe nga opinioni publik.
“Shoqëria qytetare – thotë kryeipeshkvi – pret që Papa t’i japë zemër” dhe që fjalët
e tij të kenë ndikim edhe në mjediset politike dhe të tërheqë vëmendjen e bashkësisë
ndërkombëtare drejt Shqipërisë, “vend që ka dalë nga një ndër diktaturat më mizore
të Evropës”. Kisha, nga ana e saj, pret nga Françesku vetëm një gjë: “ta përforcojë
në fe, që të mund të jetë e sigurtë për mbështetjen e Papës”. Për rolin e Kishës
në shoqërinë e sotme shqiptare, Imzot Mirdita thotë se ajo duhet të dijë t’u qëndrojë
pranë njerëzve, të cilët kërkojnë të përmirësojnë kushtet e jetesës. “Në Shqipëri
ka shumë varfëri e varfëria është fryti i hidhur i padrejtësisë. Kisha duhet të kujdeset
për të varfrit, por edhe të edukojë njerëzit me mirëqenie me ndjenjën e bamirësisë
e të drejtësisë”. Ajo “duhet të mbajë në dorë Ungjillin” ku gjen të njerëzit që ndesh
në shoqëri dhe Jezusin mes tyre, si mësues e shpëtimtar. I pyetur nëse modeli
politik shqiptar është i eksportueshëm, kryeipeshkvi përgjigjet se “është e vështirë
të thuhet cili është modeli politik shqiptar, meqë këto 23 vite liri kanë shërbyer
si shkollë e demokracisë dhe politikanët tanë janë ende studentë në këtë lëndë. Nganjëherë
i kalojnë provimet, por shpesh nglin në klasë”. Megjithatë thekson se “nëse nënkuptojmë
me model politik marrëdhëniet e politikës me fenë në vendet me fe të ndryshme” atëherë
“Shqipëria mund të jetë një shembull i mirë”.