Papa: Ekonomia dhe rendi shoqëror duhet t’i shërbejnë personit njerëzor
Papa Françesku u dërgoi një mesazh organizatorëve të Ditëve Shoqërore Katolike të
Evropës, që po mbahen këtë javë në Madrid. Mesazhin e ka nënshkruar Sekretari i Shtetit,
Kardinali Pietro Parolin. Papa pohon se “një ndër sfidat e mëdha për Kishën në
Evropë është të gjejë rrugët e mundshme për të ndezur dritën e Ungjillit, e cila i
ndriçon çështjet e ngutshme të kontinentit”. Ndër këto çështje renditen plaga e papunësisë
së të rinjve dhe dallgët gjithnjë më të larta të popularizmit. Mesazhi u jep zemër
më se 200 anëtarëve të mbledhur në Madrid deri të dielën më 21 shtator, “të kërkojnë
me përkushtim shenjtërinë, duke kultivuar me besnikëri lutjen personale, kthimin kah
Zoti”, si edhe “t’u japin sektorëve të ndryshëm të shoqërisë një dëshmi më koherente
e të hareshme, e cila i bën njerëzit të vetëdijshëm se të mirat e përkohshme dhe rendi
i shoqërisë duhet të jetë në shërbim të personit njerëzor”. Mesazhi përfundon
me pohimin se “Kisha, kur u kushton më shumë vëmendje nevojave materiale të atyre
që vuajnë, mëson edhe si t’ua shpallë në mënyrë më bindëse të vërtetën dhe shpëtimin
atyre që kanë uri e etje për jetën e pasosur dhe atyre që “ju kërkojnë arsyet e shpresës
që është në ju” (1 Pj 3,15).