2014-09-18 15:35:51

Ati i Shenjtë, ipeshkvijve: të jeni dëshmitarë të gëzueshëm të Ungjillit, jo rojtarë kullash


Të jeni pranë popullit, duke u dëshmuar të gjithëve gëzimin e Ungjillit. Kështu u tha Papa Françesku ipeshkvijve të shuguruar gjatë vitit të fundit. Pritje vëllazërore, gjatë së cilës, ipeshkvi i Romës u kërkoi sot prelatëve të mos jenë pesimistë e të zymtë, si të ishin rojtarë të ndonjë kulle, e cila po sulmohet. Ati i Shenjtë i këshilloi ipeshkvijtë të mos rrethohen nga oborrtarë e grupazhe. RealAudioMP3

“Është bukur kur shikon si pasqyrohet në fytyrat tuaja misteri i secilit e kur arrin të lexosh ç’ka shkruar Krishti në to”. Takimi i sotëm i Papës me ipeshkvijtë mund të përmblidhet në këtë frazë, të cilën Ati i Shenjtë e përdori për t’i inkurajuar bashkëvëllezërit në fillim të udhës së tyre baritore, në krye të grigjës, që u është besuar. Papa u përqendrua në dashurinë, që duhet ta lidhë ipeshkvin me popullin e vet. Që nga Koncili i Trentit, nënvizoi, thuhej se kur Bariu i grigjës nuk është i pranishëm për popullin e vet, kujdesin baritor e shëlbimin e shpirtrave e merr lumi. Ipeshkvijtë, sipas Papës, nuk duhet të kënaqen me punën e tyre, pa kërkuar më thellë Shpirtin Shenjt:
“Ju lutem, mos u bëni ipeshkvij me afat, që kanë nevojë të ndryshojnë gjithnjë adresë, si ilaçet që e humbin aftësinë për të shëruar, ose si ato ushqimet pa shije, që duhen hedhur sepse tashmë, janë të papërdorshme (shih Mt 5,13). Është e rëndësishme të mos bllokohet forca shëlbuese, e cila buron nga brenda dhuratës që keni marrë, …e kjo ju mbron nga tundimi i sorollatjeve pa synim, sepse ‘asnjë erë nuk është e favorshme për atë, që s’di ku të shkojë’”.
Për të banuar “korp e shpirt” në Kishat tuaja, u tha Papa ipeshkvijve, është e nevojshme të banoni gjithnjë në Krishtin e të mos largoheni prej Tij: ta ngrini shtëpinë në Fjalën e Tij, në Eukaristinë e Tij:
“Prandaj, mos u bëni ipeshkvij të zymtë e pesimistë, që, të mbështetur vetëm mbi vetveten e shi për këtë, të pafuqishëm para errësirës së botës e të dorëzuar para humbjes në dukje të së mirës, s’bëjnë tjetër, veçse bërtasin se kulla po sulmohet. Thirrja juaj nuk është të jeni rojtarë të një mase të dështuar, por rojtarë të ‘Evangelii gaudium” (Gëzimit të ungjillit), prandaj nuk mund t’ju mungojë e vetmja pasuri, që vërtet mund ta dhurojmë ne e që bota nuk mund t’ia dhurojë vetvetes: gëzimin e dashurisë së Zotit”.
Kështu, Papa i këshilloi ipeshkvijtë të mos dorëzohen para tundimit për të ndryshuar grigjë:
“Ta doni popullin, që iu ka dhënë Zoti, edhe kur ai të ketë ‘kryer mëkate të mëdha’, pa u lodhur ‘së ngjituri tek Zoti’ për të kërkuar falje e për të rinisur gjithçka nga e para, pavarësisht se do t’ju duhet të paguani çmimin e fshirjes së shumë imazheve të rreme të fytyrës hyjnore, apo të fantazive tuaja për mënyrën e realizimit të bashkimit me Hyjin (shih Es 32,30-31)”.
Papa Françesku u tha ipeshkvijve t’u qëndrojnë pranë meshtarëve. Disa prej tyre, theksoi, nuk e kërkojnë më vendin e vërtetë, ku banon Zoti; jetojnë sikur të mos ishin etër të grigjës e mendojnë se nuk kanë nevojë për një atë, që t’i dëgjojë edhe ata. Gjithashtu, nënvizoi Ati i Shenjtë, dua ipeshkvij, që dallohen jo për sasinë e mjeteve të komunikimit në dispozicion, por për kohën që u kushtojnë njerëzve e nevojave të tyre konkrete:
“E mikpritja të jetë e njëjtë për të gjithë, pa diskriminime, duke përdorur vendosmërinë e autoritetit, që i bën njerëzit më të pjekur dhe, duke ofruar ëmbëlsinë, që lind nga atësia. E ju lutem, ju lutem, mos bini në tundimin e flijimit të lirisë suaj, duke u rrethuar me oborrtarë, grupazhe apo kore konsensusi, sepse është e drejtë e Kishës dhe e botës, që nga goja e Ipeshkvit të dëgjojnë gjithnjë Ungjillin, i cili të bën të lirë”.
Papa foli më pas për Popullin e Zotit, i cili ka nevojë për durimin e ipeshkvijve, për kujdesin e tyre. Asgjë, nënvizoi, s’është më e rëndësishme se afrimi i njerëzve me Zotin. Mos kujtoni vetëm lavdinë e së kaluarës, pa parë drejt së ardhmes, u tha Ati i Shenjtë ipeshkvijve. Duhet të thelloheni më shumë në burimet e fesë së vendit, me forcën e parardhësve shtegtarë e misionarë, që ngritën Kisha e qytetërime, i këshilloi Papa prelatët:
“Dialogoni me respekt me traditat e mëdha, në të cilat jeni zhytur, pa frikë se mos humbni e pa pasur nevojë të mbroni kufijtë, sepse identiteti i Kishës përkufizohet nga dashuria e Krishtit, që nuk njeh kufij. Duke ruajtur me xhelozi pasionin për të vërtetën, mos i shpërdoroni energjitë për t’u kundërvënë e për t’u ndeshur, por për të ndërtuar e dashur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.